Presidenti Sauli Niinisto dhe kryeministrja Sanna Marin mbështetën publikisht idenë që Finlanda të aplikojë për t'u anëtarësuar në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).

"Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësimin në NATO pa vonesë. Shpresojmë që hapat kombëtarë që duhen ende për të marrë këtë vendim do të merren me shpejtësi brenda ditëve të ardhshme", -thanë të dy udhëheqësit në një deklaratë të përbashkët, duke argumentuar se anëtarësimi në NATO do të forconte sigurinë e Finlandës, citon “Xinhua”.

Politikat e jashtme dhe të sigurisë në Finlandë menaxhohen bashkërisht nga presidenti dhe kabineti, sipas kushtetutës finlandeze. Një vendim zyrtar duhet të merret nga presidenti dhe komiteti ministror i kabinetit për politikën e jashtme dhe të sigurisë në një takim të përbashkët.

Ndërkohë, kryetari i Dhomës, Matti Vanhanen deklaroi për radion kombëtare “Yle” se presidenti dhe kabineti qeveritar pritet ta publikojnë vendin e tyre të dielën.

Finlanda pritet të paraqesë një aplikim së shpejti, ndoshta në bashkëpunim me Suedinë fqinje, sipas raporteve të mediave lokale. Mbështetja publike finlandeze për anëtarësimin në NATO filloi të rritet në shkurt. Sondazhe të ndryshme tregojnë se është rritur nga rreth 20 për qind në më shumë se 70 për qind. Sipas analistëve vendas, 10-15 deputetë pritet të kundërshtojnë aplikimin dhe anëtarësimin. (Irma)