Gjermani google

Gjermani google

Norma e inflacionit në Gjermani në prill u rrit në 7.4 për qind, mes çmimeve të larta të energjisë, sipas shifrave të konfirmuara të publikuara të mërkurën nga Enti Federal i Statistikave (Destatis).

"Norma e inflacionit arriti në nivelin më të lartë historik për të dytin muaj radhazi që nga ribashkimi i Gjermanisë", -tha Georg Thiel, president i “Destatis”.

Një normë e ngjashme e lartë e inflacionit u regjistrua për herë të fundit në Gjermani në vjeshtën e vitit 1981, kur çmimet e naftës minerale ishin rritur ndjeshëm si pasojë e luftës midis Irakut dhe Iranit.

Sipas Destatis, çmimet e naftës për ngrohje në prill gati u dyfishuan nga viti në vit. Rritje të theksuara të çmimeve janë shënuar edhe për lëndët djegëse motorike dhe gazin natyror, përkatësisht me 38.5 dhe 47.5 për qind, citon “Xinhua”.

Destatis bëri të ditur se çmimet e ushqimeve gjithashtu u rritën me 8.6 për qind nga viti në vit, duke u përshpejtuar ndjeshëm nga një rritje prej 6.2 për qind në muajin mars.

Për vitin 2022, qeveria gjermane pret një normë inflacioni prej 6.1 për qind, pasi rritja e mprehtë e çmimeve të naftës, qymyrit dhe gazit po rrit çmimet e konsumit. Inflacioni pritet të kthehet në nivele afër normales vitin e ardhshëm.