Në një artikull të botuar të martën në revistën amerikane “Forbes” me titull “Kjo është pamja e ShBA-së me 1 milion viktima nga COVID-19”, vihet në dukje se pneumonia e koronavirusit të ri është bërë shkaku i tretë më i madh i vdekjeve në ShBA. Sipas artikullit, numri i të vdekurve nga ky virus është gati tre herë më i madh se numri i vdekjeve nga gripi gjatë 10 vjetëve të fundit, e kalon numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga sida gjatë 40 vjetëve të kaluar dhe i afrohet dyfishit të numrit të amerikanëve të vdekur gjatë dy luftërave botërore. Njëkohësisht, në këtë artikull thuhet se 1 milion ndoshta është një shifër më e ulët se numri i vërtetë i të vdekurve gjatë kësaj epidemie në ShBA.

foto nga "People Vision"

foto nga "People Vision"

Në artikull vihet në dukje gjithashtu se në ShBA, me 4 për qind të popullsisë së përgjithshme të botës, janë regjistruar 16 për qind e rasteve të vdekjes nga COVID-19 në botë, me një numër shumë më të madh të vdekurish nga kjo sëmundje sesa vendet e tjera sipas të dhënave zyrtare.

Krahas këtyre, edhe përqindja e vdekshmërisë nga COVID-19 në ShBA është më e lartë se ajo në vendet e tjera të pasura. Të dhënat tregojnë se ndër 100 mijë amerikanë, 302 kanë vdekur nga COVID-19, ndërsa në Britani e Francë shifrat janë përkatësisht 259 e 226. (Wang Lei/ Artan)