Pamje e marrë nga njoftimi televiziv i CCTV-së

Pamje e marrë nga njoftimi televiziv i CCTV-së

Me ftesën e qeverisë së Koresë së Jugut, zv.presidenti kinez Wang Qishan, si përfaqësuesi i posaçëm i presidentit Xi Jinping, mori pjesë të martën në ceremoninë e betimit të presidentit të ri jugkorean Yoon Seok-youl.

Gjatë takimit zyrtar me presidentin e sapozgjedhur, Wang i dërgoi së pari atij urimet e presidentit Xi Jinping. Ai tha se Kina është e gatshme të bëjë përpjekje së bashku me palën jugkoreane për të ngritur pandërprerë nivelin e partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet dy vendeve.

Lidhur me zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, zv.presidenti kinez paraqiti një propozim prej pesë pikash: forcimi i kontakteve strategjike dhe shkëmbimeve të niveleve të ndryshme; thellimi i bashkëpunimit konkret; shtimi i aktiviteteve për forcimin e miqësisë midis dy popujve; thellimi i bashkërendimit mbi çështjet rajonale e ndërkombëtare dhe shtimi i bashkëpunimit mbi çështjet e Gadishullit Korean. “Kina përkrah sinqerisht përmirësimin e marrëdhënieve midis dy palëve të Gadishullit Korean dhe është e gatshme të nxisë shkëmbimet e mendimeve me palën jugkoreane për të realizuar çnuklearizimin dhe paqen afatgjatë në Gadishull,” tha Wang Qishan.

Ndërsa presidenti i ri jugkorean Yoon Seok-youl falënderoi përzemërsisht për urimet e homologut kinez. Ai u shpreh se vendi i tij është i gatshëm të shfrytëzojë jubileun e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve sivjet për të thelluar shkëmbimet në nivele të ndryshme, duke forcuar më tej bashkëpunimin konkret në fusha të ndryshme në të mirë të shtimit të miqësisë ndërmjet të dy popujve dhe çeljes së epokës së re në marrëdhëniet dypalëshe. Sipas tij, Koreja e Jugut do të nxisë bashkërendimin me palën kineze për të realizuar paqen, stabilitetin dhe lulëzimin e Gadishullit Korean.(Zhang Yan/Artan)