Kina ka shprehur mosmiratim të fortë dhe kundërshtim të vendosur ndaj deklaratës së kreut të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian për zgjedhjen e kryeekzekutivit të mandatit të gjashtë të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut (HKSAR), duke u kërkuar politikanëve të BE-së të ndalojnë ndërhyrjen në çështjet e Hong-Kongut.

Zgjedhjet u mbajtën me sukses të dielën dhe John Lee u zgjodh si kryeekzekutiv i përcaktuar me një shumicë dërrmuese votash në përputhje me ligjin.

Në një deklaratë, Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë i BE-së, Josep Borrell, u shpreh se BE-ja i sheh zgjedhjet si "shkelje të parimeve demokratike dhe pluralizmit politik", duke i quajtur ato "një hap tjetër në çmontimin e parimit ‘Një vend, dy sisteme’."

Pala e BE-së shpërfilli ligjin ndërkombëtar dhe normat bazë që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, shpifi hapur për zgjedhjet e Hong-Kongut dhe ndërhyri rëndë në punët e brendshme të Kinës, përfshirë çështjet e Hong-Kongut, u përgjigj të hënën Misioni Kinez në BE.

Duke vënë në dukje se këto janë zgjedhjet e para për kryeekzekutivin të mbajtura pas kalimit të Hong-Kongut nga kaosi në rend, zëdhënësi vuri në dukje në deklaratë se zgjedhjet përfaqësojnë një praktikë tjetër të suksesshme të sistemit të ri zgjedhor të Hong-Kongut.

Duke përmendur pjesëmarrjen e gjerë dhe të thelluar të publikut në zgjedhje, zëdhënësi theksoi se zgjedhjet, të cilat ishin të drejta, të paanshme dhe të rregullta, demonstrojnë plotësisht demokracinë.

Lee u zgjodh me 99.16 për qind të votave, gjë që sipas zëdhënësit pasqyron vlerësimin e lartë që ka për të shoqëria e Hong-Kongut.

Faktet kanë dëshmuar se sistemi i ri zgjedhor i Hong-Kongut është në përputhje me parimin "Një vend, dy sisteme" dhe realitetin e Hong-Kongut, shtoi zëdhënësi.

Misioni Kinez i kërkoi BE-së të respektojë ligjin ndërkombëtar e normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të ndalojë menjëherë ndërhyrjen e çfarëdo forme në punët e brendshme të Kinës, duke përfshirë çështjet e Hong-Kongut, për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të përgjithshme Kinë-BE. (Artan)