studimi omicron, kathimerini

studimi omicron, kathimerini

Varianti Omicron i Covid-19 është në thelb po aq i rëndë sa variantet e mëparshme, ndryshe nga supozimet e bëra në studimet e hershme se ishte më i transmetueshëm, por më pak i rëndë, bëhet e ditur në një studim të realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell “Reuters”.

"Ne zbuluam se rreziqet e shtrimit në spital dhe vdekshmërisë ishin pothuajse identike në periudhat e shfaqjes së varianteve", -thanë katër shkencëtarë që kryen studimin bazuar në të dhënat e 130.000 pacientëve Covid, duke iu referuar kohërave në dy vitet e fundit kur variante të ndryshme ishin dominuese në të gjithë botën.

Studimi, i cili po i nënshtrohet rishikimit nga kolegët në “Nature Portfolio” dhe u postua në “Research Square” më 2 maj, u përshtat për stidiuesit duke përfshirë demografinë, statusin e vaksinimit dhe indeksin që parashikon rrezikun e vdekjes brenda një viti nga shtrimi në spital për pacientët me sëmundje specifike.

Studimet që supozuan se varianti Omicron ishte më pak i rëndë u kryen në vende të ndryshme duke përfshirë Afrikën e Jugut, Skocinë, Anglinë dhe Kanadanë, thanë shkencëtarët nga Spitali i Përgjithshëm i Massachusetts-it, Universiteti Minerva dhe Shkolla Mjekësore e Harvardit. Ata theksuan se studimi i tyre mund të kishte disa kufizime, duke përfshirë mundësinë që ai të nënvlerësonte numrin e pacientëve të vaksinuar në valët më të fundit Covid, dhe numrin total të infeksioneve, sepse përjashtonte pacientët që kryenin teste të shpejta në shtëpi. (Irma)