“Covid-19 ka hyrë në një fazë të re dhe nuk ka arritur ende në fund. Komisioni Evropian ka shpallur një fazë të re të ndryshme të pandemisë, por jo fundin e saj”, -deklaroi eurokomisionerja për Shëndetësinë dhe Sigurinë Ushqimore, Stella Kyriakides, për “Radio Qipron”, citon “Xinhua”.

Lidhur me heqjen ose zbutjen e gjerë të kufizimeve të koronavirusit nga shumica e vendeve të BE-së, Kyriakides paralajmëroi vendet anëtare që mos të shfaqin vetëkënaqësi në trajtimin e sëmundjes, duke paralajmëruar se ekziston gjithmonë rreziku i një shpërthimi të ri.

Komentet e saj erdhën pasi disa vende u raportuan se kishin hyrë në një valë të pestë të pandemisë dhe shkencëtarët thanë se është e mundur një përhapje e re në mbarë botën e pandemisë.

Organizata Botërore të Shëndetësisë ka tërhequr vëmendjen për nënvariantet e reja të Covid-19 përtej mutacionit BA.2, si BA.4 dhe BA.5, dhe ka shprehur shqetësimin për mundësinë e një shpërthimi të ri në rang global.

Kyriakides tha se Komisioni Evropian është i shqetësuar për faktin se 90 milionë njerëz në vendet e BE-së janë ende të pavaksinuar dhe për hezitimin e shumë njerëzve për të marrë dozën e tretë, pas lehtësimit të kufizimeve. Ajo theksoi se këta persona rrezikojnë të infektohen nga Covid-19 dhe të bëhen përhapës të një vale të re të virusit. (Irma)