Në shtatorin e vitit 2021, presidenti amerikan Joseph Biden mbajti një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku deklaroi se ShBA-ja nuk synon një Luftë të Ftohtë të re. Por në një raport nga Fondacioni Transnacional për Studimet mbi Paqen dhe të Ardhmen, një institut studimi politikash me seli në Suedi, thuhet se ShBA-ja po nxit sistematikisht "agjendën e Luftës së Ftohtë ndaj Kinës".

Në fakt, administrata e presidentit amerikan Biden vazhdon strategjinë e administratës së mëparshme të shkëputjes, shtypjes e përbaltjes ndaj Kinës, duke organizuar aleatët e vet për ta goditur Kinën. Këto veprime bien në kundërshtim me qëndrimin e shprehur prej saj të mossynimit të Luftës së Ftohtë ndaj Kinës, duke treguar paradoksin e politikës amerikane ndaj Kinës. Politologu amerikan Andrew Latham është i mendimit se konceptet paradoksale diplomatike janë problemi më i madh i ShBA-së. Në artikullin e tij të publikuar në uebsajtin "The Hill", ai thekson që mendimi diplomatik i administratës amerikane është i paqëndrueshëm. "Ajo dëshiron jo vetëm formimin e aleancave globale për frenimin e zhvillimit të Kinës, por edhe të mbajë ekuilibrin global me një qëndrim të butë. Kjo ka shkaktuar luhatjet e forta të politikës së jashtme të ShBA-së," u shpreh Andrew Latham. Ai theksoi se mendësia e Luftës së Ftohtë ose e botës njëpolare nuk përputhen me realitetin e sotëm. (Xu Guang)