Foto: Xinhua
Greqia nisi të martën ndërtimin e terminalit të saj të parë të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në qytetin verior të Alexandroupolis.
Projekti, i cili pritet të përfundojë dhe të funksionojë në fillim të vitit 2024, u përshëndet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian si një hap i rëndësishëm në forcimin e sigurisë dhe pavarësisë energjetike të Evropës, bën të ditur “Xinhua”.
"Ky projekt që po përurojmë dërgon një sinjal të qartë: ne po marrim fatin tonë në duart tona", -tha presidenti i Këshillit të Evropës Charles Michel, në ceremoninë që u transmetua drejtpërdrejt nga transmetuesi kombëtar grek “ERT”.
Sipas tij, terminali i ri është një investim gjeopolitik që do të ndihmojë Evropën të diversifikojë importet e saj të gazit dhe të heqë gradualisht varësinë nga karburantet fosile ruse në vazhdën e krizës Ukrainë-Rusi.
"Brenda 20 muajve të ardhshëm, Greqia do të jetë në gjendje të marrë sasi të konsiderueshme të gazit natyror të lëngshëm. Stacionet greke të LNG do të jenë në gjendje të mbulojnë plotësisht jo vetëm tregun kombëtar, por edhe të zëvendësojnë një pjesë të konsiderueshme të furnizimit të gazit rus në Ballkan”, -tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
Ai e përshkroi gjithashtu terminalin si një portë të re energjie për Greqinë, Ballkanin dhe Evropën Juglindore.
Pasi të përfundojë, terminali do të ketë një kapacitet vjetor prej 5.5 miliardë metra kub gaz natyror në vit, sipas të dhënave të ofruara nga qeveria greke.
Rreth 166.7 milionë euro nga gjithsej 363.7 milionë euro të akorduara për projektin janë fonde të BE-së, sipas një njoftimi për shtyp të qeverisë greke.