Foto: VCG

Foto: VCG

Ambasada kineze në Britani hodhi poshtë të mërkurën një raport të pabazuar të BBC-së në lidhje me Xinjiang-un e Kinës, duke thënë se programi i BBC-së është përdorur si një platformë për të përhapur lajme të rreme për Xinjiang-un, me qëllim njollosjeje dhe përhapjeje thashethemesh.

Lidhur me programin e fundit të BBC-së që akuzon se në Xinjiang-un e Kinës ekzistojnë "qendra riedukimi" e "punë e detyruar" dhe "po shkatërrohet kultura ujgure", një zëdhënës i ambasadës tha se këto të ashtuquajtura akuza janë gënjeshtrat e shekullit dhe një farsë e bërë nga disa politikanë, organizata mediatike dhe studiues që veprojnë në bashkëpunim për të përbaltur Kinën.

Manovrat e tyre për të përhapur thashetheme e për të krijuar telashe janë në fakt veprime manipulimi politik e shtrëngimi ekonomik nën pretekstin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, me qëllimin e vërtetë për të minuar zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e Xinjiang-ut dhe për të frenuar zhvillimin e Kinës, tha zëdhënësi në një deklaratë.

“Duhet të theksohet se çështjet e lidhura me Xinjiang-un nuk kanë të bëjnë me fetë, kombësitë apo të drejtat e njeriut, por me luftën kundër terrorizmit, separatizmit dhe ekstremizmit,” theksohet në deklaratë.

Zëdhënësi përsëriti se në Xinjiang nuk ekzistojnë të ashtuquajturat "qendra riedukimi" dhe se qendrat e arsimit dhe formimit profesional të ngritura në përputhje me ligjin janë shkolla.

Të trajnuarit në këto qendra janë diplomuar të gjithë dhe jetojnë si anëtarë normalë të shoqërisë pa asnjë masë të veçantë ndaj tyre, tha zëdhënësi.

Qeveria kineze u jep përparësi të lartë të drejtave të punës dhe mbron të drejtën e punëtorëve të të tëra kombësive për të marrë pjesë në jetën ekonomike e shoqërore dhe për të ndarë frytet e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, tha zëdhënësi, duke shtuar se nuk ka asnjë politikë punësimi apo veprim kundër pakicave në Xinjiang.

Duke theksuar se Kina mbështet sundimin e ligjit, në deklaratë vihet në dukje se organet e sigurisë publike respektojnë rreptësisht ligjin në hetimin e rasteve dhe ndalimi i paligjshëm nuk lejohet rreptësisht.

Zëdhënësi tha gjithashtu se qytetarët kinezë gëzojnë lirinë e besimit fetar siç përcaktohet nga Kushtetuta e Kinës. "Myslimanët e kombësive të ndryshme janë të lirë të praktikojnë besimin e tyre në xhami dhe në shtëpi sipas doktrinave fetare, kanuneve dhe traditave."