Me rritjen e çmimeve globale të mallrave, kriza e furnizimit me ushqime duket e shumë afër, veçanërisht në disa vende të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, sipas ekspertëve.

Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës ka një ndikim të thellë në çmimet ndërkombëtare të mallrave, duke pasur parasysh rolet e rëndësishme të dy vendeve në tregun global të grurit, tha për “Xinhua” Desmond Lachman, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve dhe ish-zyrtar në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Një depo drithërash në Krime, më 15 mars 2022/ VCG

Një depo drithërash në Krime, më 15 mars 2022/ VCG

Sipas raportit të Bankës Botërore mbi Perspektivën e Tregjeve të Mallrave, të publikuar në prill, konflikti Rusi-Ukrainë do të rrisë çmimet e naftës këtë vit me më shumë se 40 për qind dhe çmimet e produkteve joenergjetike me pothuajse 20 për qind. Çmimet e grurit parashikohen të rriten me më shumë se 40 për qind këtë vit, duke arritur një nivel të lartë historik në terma nominalë.

David Laborde, studiues i lartë në Institutin Ndërkombëtar të Kërkimit të Politikave Ushqimore (IFPRI), tha për “Xinhua” se vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore, veçanërisht disa vende në zhvillim si Libani apo Jemeni, do të përballen me peshën kryesore të konfliktit aktual në Ukrainë, pasi situatat e tyre ekonomike dhe politike u japin pak fleksibilitet për t'u përshtatur me krizën.

Kaosi në Ukrainë kërcënon të përkeqësojë më tej urgjencën e pasigurisë ushqimore në Jemen, shkroi Instituti Ndërkombëtar i Kërkimit të Politikave Ushqimore në blogun e vet në mars.

Lufta civile e Jemenit e ka shkatërruar atë vend dhe ndikimet serioze të pandemisë Covid 19 kanë përkeqësuar më tej situatën e pasigurt ushqimore të vendit, sipas institutit.

Më 1 prill, në prag të ramazanit, banorët e Stambollit blenë ushqime, çmimi i të cilëve u ngrit shumë, sepse Ukraina është një nga furnizuesit kryesorë të drithërave të Turqisë/ VCG

Më 1 prill, në prag të ramazanit, banorët e Stambollit blenë ushqime, çmimi i të cilëve u ngrit shumë, sepse Ukraina është një nga furnizuesit kryesorë të drithërave të Turqisë/ VCG

Në shkrimin e publikuar në blog thuhet se Jemeni mbështetet shumë te importet dhe kriza Rusi-Ukrainë kërcënon të përkeqësojë kequshqyerjen duke rritur koston e produkteve ushqimore dhe energjetike.

Vendet e Azisë Jugore, si Bangladeshi, mund të dëmtohen gjithashtu nga konflikti i vazhdueshëm ushtarak në Evropë, i cili ka ndërprerë tregtinë globale të produkteve kryesore ushqimore, si gruri dhe vaji vegjetal, si dhe plehrat kimike.

I varur nga importet e këtyre artikujve për të ushqyer popullsinë e tij të madhe, Bangladeshi përballet me perspektivën e rritjes së pasigurisë ushqimore, sipas një raporti nga IFPRI në fund të prillit.

Ndërsa të korrat e verës do të sjellin më shumë furnizime në treg, çmimet do të mbeten të larta për disa muaj në vijim pasi eksportet e Ukrainës në thelb janë ndalur, tha Laborde.

Një fakt tjetër shqetësues është mundësia e uljes së rendimentit global të prodhimit për shkak të përdorimit të reduktuar të plehrave kimike, çmimi dhe disponueshmëria e të cilave janë ndikuar negativisht nga konflikti në Ukrainë, përmendi Laborde.

“Në vend të një tronditjeje të papritur, ne do të shohim një vazhdimësi të çmimeve të larta, në varësi të situatës në javët e ardhshme",- tha Laborde.

Për njerëzit në vendet në zhvillim, si Sudani dhe Afganistani, ushqimi sa vjen e bëhet më i shtrenjtë, shkruan Sara Menker, themeluese e një kompanie të inteligjencës artificiale që parashikon tregjet globale bujqësore, si dhe Rajiv Shah, ish-administrator i Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar në një artikull opinion në “The New York Times” në fillim të këtij muaji.

Në tregun egjiptian, çmimi i grurit, mistrit dhe të drithërave u ngrit shumë si pasojë e shumë faktorëve, më 21 mars/ VCG

Në tregun egjiptian, çmimi i grurit, mistrit dhe të drithërave u ngrit shumë si pasojë e shumë faktorëve, më 21 mars/ VCG

Në Sudan, rritja e çmimeve të grurit ka bërë që çmimi i bukës të dyfishohet, thuhet në artikull, duke shtuar se Egjipti po përballet me një vit të vështirë, duke qenë se është vendi më i madh importues në botë i grurit, që tani është 33 për qind më i shtrenjtë se në fund të vitit të kaluar.

Për më tepër, më shumë se gjysma e vendeve me të ardhura të ulëta janë në rrezik të lartë për rritjen e borxhit, ndërsa normat e interesit rriten, duke kufizuar aftësinë e tyre për të marrë hua për të paguar ushqimin, thuhet në artikull.

Në një konferencë virtuale për shtyp më 20 prill, presidenti i grupit të Bankës Botërore, David Malpass, tha se kriza Rusi-Ukrainë ka rritur çmimet e ushqimeve dhe ka goditur më së shumti më të varfrit, duke paralajmëruar se kriza e pasigurisë ushqimore do të zgjasë me muaj dhe ndoshta deri në vitin e ardhshëm.

"Problemi i ushqimit është i rëndë",- tha shefi i Bankës Botërore. "Çmimet e larta godasin më së shumti njerëzit në vendet e varfra dhe veçanërisht në zonat rurale".