Sunada Isabella dhe vajza e saj Victoria morën sende ushqimore të dhuruara në Chelsea, Massachusetts, më 20 prill. Brian Snyder/Reuters

Sunada Isabella dhe vajza e saj Victoria morën sende ushqimore të dhuruara në Chelsea, Massachusetts, më 20 prill. Brian Snyder/Reuters

Një të enjte pasdite, Guadalupe bëri një udhëtim 25-minutësh me autobus për të marrë ushqim nga “Mixteca”, një organizatë jofitimprurëse që ndihmon komunitetet meksikane dhe të Amerikës Latine në lagjen “Sunset Park” të Nju Jorkut. Në të njëjtën ditë, asaj iu desh të punonte edhe në pastrimin e shtëpive.

Ajo merrte çdo javë ushqim nga kisha “Cristiana Luz del Mundo” pranë shtëpisë së saj, në lagjen Bruklin të qytetit. Kisha ndaloi shpërndarjen e ushqimit në vjeshtën e vitit 2021 dhe që atëherë, Guadalupe ka pasur vështirësi të gjejë vende të tjera pranë shtëpisë që ofrojnë ushqim.

"Ndihem keq. Jo për veten time, sepse unë e kam jetuar tashmë jetën time, por për fëmijët e mi",- tha Guadalupe, e cila ka dy fëmijë, 2 dhe 17 vjeç, për “Documented”, një faqe lajmesh, cituar nga “China Daily”.

Mensat e ushqimit në të gjithë Shtetet e Bashkuara janë mbushur me fytyra të reja. Shkak është bërë kostoja e lartë e produkteve ushqimore, mes inflacionit më të lartë në 41 vjet dhe rritja e çmimit të gazit po bën që më shumë njerëz të kërkojnë ndihmë.

Mungesa e fondeve dhe vullnetarëve dhe rritja e çmimeve të ushqimeve ka bërë që disa depo ushqimore të ndërpresin funksionimin në të gjithë qytetin e Nju Jorkut, ndërkohë që ato që ende funksionojnë e ndiejnë trysninë e shkaktuat nga kërkesa gjithnjë e në rritje.

Chi Loek, drejtor ekzekutiv i UA3, një organizatë jofitimprurëse që ndihmon komunitetet, tha për “Documented” se kërkesa për pako me ushqime është rritur me 10 për qind në dy muajt e fundit, duke u rritur nga 2,000 në rreth 2,200 midis janarit dhe marsit 2022.

"Inflacioni rrit çmimet e ushqimeve dhe rregulloret e qeverisë nuk lejojnë që shumë emigrantë të përfitojnë nga programe qeveritare, si Programi i Ndihmës së Ushqyerjes Suplementare ose SNAP, si dhe nga shërbime të tjera. Për më tepër, shumë mensa lokale po mbyllen",- tha Loek.

Në Çikago, administratorë të mensave të ushqimit thonë se po shohin rritje të kërkesës, ndërsa inflacioni rritet dhe njerëzit ndiejnë presion mbi çmimin e gjithçkaje, nga mallrat shtëpiake te gazi.

Njëra prej këtyre drejtueseve, Diane Carioscio, tha për “Chicago Tribune” se kërkesat për ushqim në qendrën që ajo drejton nisën të rriteshin që nga fundi i muajit shkurt dhe tani po u shërbejnë rreth 25 për qind më shumë njerëzve sesa mesatarja e mëparshme.

Ekspertët thonë se fundi i disa programeve të ndihmës qeveritare që ishin të disponueshme më herët gjatë pandemisë së Covid 19 po i shtyn gjithashtu më shumë njerëz drejt qendrave ku ofrohet ushqim për njerëzit që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme që ta sigurojnë atë.

Sophie Milam, nënkryetare e politikave publike dhe të mbrojtjes për “Greater Chicago Food Depository”, tha për “Chicago Tribune” se ka vënë se pagesat mujore, që disa familje merrnin si pjesë e zgjerimit të kredisë tatimore për fëmijët, janë ndërprerë që vitin e kaluar.

Programet federale për ushqimin, si SNAP, përshtaten për inflacionin vetëm një herë në vit, tha Milam. Kjo do të thotë se për njerëzit që po përballen me çmimet në rritje të ushqimeve, ndihma nuk do të ndryshojë deri në tetor, tha ajo.

Qendra “Feeding Wisconsin” në janar kishte vetëm 2,400 njerëz që u nevojitej ushqim në janar. Në shkurt, ky numër u rrit pak, në 2,430, por në mars shkoi në 3,200, duke shënuar një rritje prej gati një të tretën.

Rritja e papritur e çmimeve të ushqimeve dhe ulja e ofertës kanë përkeqësuar gjithashtu presionin me të cilin përballen vetë qendrat e ushqimit.

"Meqenëse sfidat e zinxhirit të furnizimit po pengojnë grosistët, nuk ka më teprica ushqimore si më përpara nga shitësit e produkteve me shumicë, shitësit me pakicë dhe prodhuesit",- tha për “PBS Wisconsin” Stephanie Jung Dorfman, drejtore ekzekutive e “Feeding Wisconsin”.