Qeveria hungareze nuk e mbështet embargon e naftës dhe gazit rus, deklaroi të hënën një zyrtar i lartë.

"Pozicioni hungarez për embargon e naftës dhe gazit nuk ka ndryshuar. Ne nuk e mbështesim atë", -shkroi Zoltan Kovacs, sekretari i Shtetit për Komunikimet dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, në faqen e tij në “Facebook”, citon “Xinhua”.

Kovacs reagoi ndaj një raporti të bërë nga kanali televiziv publik gjerman “ZDF”, sipas të cilit pas një ndryshimi të pozicionit në Gjermani, të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian tani ishin të gatshme të mbështesnin pezullimin e BE-së të importeve të naftës ruse si pjesë e një goditjeje të re ndaj Rusisë për shkak të konfliktit të saj me Ukrainën.

Përveç Gjermanisë, Austria dhe Hungaria ishin kundërshtaret më të fuqishme kundër ndalimit të blerjeve të naftës ruse, pasi ekonomitë e tyre varen shumë nga furnizimet ruse të naftës.

“Gjëja më e rëndësishme është që BE mos të miratojë një sanksion që do ta bëjë të pamundur importimin e naftës dhe gazit rus”, -tha Gergely Gulyas, kreu i zyrës së kryeministrit, për kanalin kryesor të radios publike të Hungarisë, “MR1”.

"Ne nuk duhet të miratojmë sanksione me të cilat penalizojmë më shumë veten në vend të atyre që duam të sanksionojmë", -tha Gulyas.