Pronari i ri i Twitter duhet t'u përmbahet rregullave të përmbajtjes në internet që po zhvillohen nga Bashkimi Evropian, ka paralajmëruar Unioni.

Brukseli e bëri vëzhgimin pasi marrëveshja e Elon Musk për të blerë rrjetin e mediave sociale për 44 miliardë dollarë u forcua, dhe njeriu më i pasur në botë tha se dëshiron të heqë kufizimet në atë që njerëzit mund të thonë në faqe.

Mbretëria e Bashkuar, e cila po zhvillon gjithashtu rregulla për përmbajtjet në internet që synojnë mbrojtjen e përdoruesve të rrjetit nga gjuha e urrejtjes, ofroi një paralajmërim të ngjashëm, ndërsa një zëdhënës i qeverisë i tha “The Guardian” se 217 milionë përdoruesit e Twitter do të vazhdojnë të mbrohen.

"Ne po prezantojmë ligje të reja të sigurisë në internet për të mbrojtur fëmijët, për të parandaluar sjelljen abuzive dhe për të mbrojtur fjalën e lirë," tha zëdhënësi.

Një imazh i Elon Muskut shihet në smartfonin të vendosur mbi logotë e "Twitter"-it të marra në këtë ilustrim/ Agencies

Një imazh i Elon Muskut shihet në smartfonin të vendosur mbi logotë e "Twitter"-it të marra në këtë ilustrim/ Agencies

Mbretëria e Bashkuar do të detyrojë të gjitha kompanitë e teknologjisë që kanë përdorues në këtë vend të respektojnë ligjet e saj ose do të përballen me gjoba të mëdha, madje edhe mundësinë e bllokimit.

“Pavarësisht pronësisë, të gjitha platformat e mediave sociale duhet të jenë përgjegjëse”, tha një zëdhënës i kryeministrit Boris Johnson, cituar nga BBC.

Thierry Breton, komisioneri i BE-së për tregun e brendshëm, postoi në Twitter se Akti i Shërbimeve Dixhitale të miratuar rishtazi nga Unioni, i cili hyn në fuqi në vitin 2024, do të sigurojë që "fjala e lirë" të mos shtrembërohet në gjuhë të urrejtjes.

“Çdo kompani që operon në Evropë duhet të jetë në përputhje me rregullat tona, pavarësisht nga aksionet e tyre”, shkroi Breton në Twitter. "Z. Musk e di mirë këtë. Ai është njohur me rregullat evropiane për automobilat dhe do të përshtatet shpejt me Aktin e Shërbimeve Dixhitale", shtoi ai.

Breton shpjegoi për “Financial Times” se : "Ne jemi të hapur, por sipas kushteve tona. Të paktën ne e dimë se çfarë t'i themi atij: "Elon, ka rregulla. Jeni të mirëpritur, por këto janë rregullat tona. Nuk janë rregullat tuaja që do të zbatohen këtu”

Kompanitë që shkelin Aktin e Shërbimeve Dixhitale të BE-së, ose DSA, mund të gjobiten deri në 6 për qind të qarkullimit të tyre global.

DSA kërkon që platformat të bllokojnë përmbajtjen që promovon terrorizëm, mashtrime komerciale, që është raciste ose seksiste.

Musk iu përgjigj paralajmërimeve duke postuar në Twitter: "Reagimi ekstrem i antitrupave nga ata që i frikësohen fjalës së lirë i thotë të gjitha." Më vonë ai dukej se e zbuti tonin e tij, duke postuar në Twitter: "Me 'fjala e lirë', unë thjesht nënkuptoj atë që përputhet me ligjin. Unë jam kundër censurës që shkon shumë përtej ligjit."

Jack Dorsey, bashkëthemeluesi i Twitter, mbështeti Musk si "zgjidhjen unike " në çuarjen përpara të kompanisë.

Ironikisht, pranimi nga Twitter të hënën i ofertës së Musk për të blerë kompaninë çoi në një të martë të vështirë për prodhuesin e automjeteve të Musk Tesla, me 126 miliardë dollarë të fshirë nga vlera e tij. Ekspertët thanë se investitorët dukej se ishin të shqetësuar për Musk, që ndoshta kishte nevojë të shesë aksionet e Tesla-s për të blerë Twitter.