“Një fantazmë po endet mbi Oqeanin Paqësor. Nuk po flas për Kinën, por për ne.” Pak ditë më parë gazeta britanike“The Guardian” publikoi një artikull, ku kritikonte reagimin e tepruar të Shteteve të Bashkuara dhe Australisë ndaj nënshkrimit të një marrëveshjeje kuadër për bashkëpunimin e sigurisë ndërmjet Kinës e Ishujve Solomon.

Ditët e fundit, Shtetet e Bashkuara dhe Australia janë përpjekur të bëjnë të pamundurën për të penguar bashkëpunimin normal ndërmjet Kinës dhe Solomoneve. Nga dërgimi prej palës australiane i zyrtarëve të nivelit të lartë në Ishujt Solomon për të lobuar dhe penguar, te vizita kohët e fundit e koordinatorit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së për çështjet e Indo-Paqësorit Kurt Campbell në Solomone për të ushtruar trysni mbi këtë vend, duke e njollosur qëllimisht me "ngjyrime ushtarake" bashkëpunimin Kinë-Solomone për të provokuar konfrontim, shtrëngimi prej ShBA-së e Australisë i Ishujve Solomon dhe shpifjet kundër bashkëpunimit të këtij vendi me Kinën nuk kanë të ndaluar për asnjë moment.

Ajo për të cilën duhet ta pyesin veten ShBA-ja dhe Australia është që përse, sado që ato po përpiqen për të penguar, përsëri nuk mund ta ndalojnë gatishmërinë e vendeve ishullore të Paqësorit si Ishujt Solomon për të bashkëpunuar me Kinën. Përgjigjja për këtë pyetje është sepse bashkëpunimi i Kinës me këto vende është i barabartë dhe me dobi të ndërsjellë, nuk lidhet aspak me kushte shtesë politike dhe ndihmon me të vërtetë në përmirësimin e jetesës së banorëve vendorë. Pas shpërthimit të epidemisë së koronavirusit, Kina ofroi në mënyrë aktive ndihmë kundër epidemisë për vendet ishullore të Paqësorit. Në maj të vitit të kaluar, Ishujt Solomon u bënë vendi i parë ishullor i Paqësorit që bëri vaksinimin me vaksinën kineze në mbarë vendin.

Në të kundërt, Shtetet e Bashkuara dhe Australia nuk janë përballur kurrë me kërkesat e zhvillimit të vendeve ishullore të Paqësorit, por i kanë përdorur ato vetëm si një mjet gjeopolitik. Gazeta e Ishujve Solomon "Solomon Star" së fundmi botoi një artikull ku dënonte vizitën e Campbell-it, duke theksuar se vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në Ishujt Solomon, të harruar prej kohësh nga Uashingtoni në 80 vjet, ishte për ta detyruar këtë vend të braktiste marrëveshjen e nënshkruar me Kinën. Sipas një analize të uebsajtit australian “Dialogue”, aktualisht 13 % e banorëve të Ishujve Solomon jetojnë nën kufirin e varfërisë dhe vetëm 70 % e tyre përdorin energji elektrike. Ishujt Solomon besojnë se Kina mund të sigurojë një rrugëdalje ekonomike që Australia nuk mundet.

Duke parë të gjithë rajonin e Paqësorit Jugor, dhimbjet dhe vuajtjet e sjella nga Shtetet e Bashkuara janë ende të vështira për t'u shëruar. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara lanë pas një sasi të madhe municionesh dhe mbetjesh të rrezikshme kimike në Ishujt Solomon. Ish-kryeministri i Solomoneve Danny Philip ka thënë: "Njerëzit tanë vriten çdo vit për shkak të eksplozivëve të pashpërthyer dhe sendeve të tjera të rrezikshme." Sipas informacionit publik, ndërmjet viteve 1946 dhe 1958 Shtetet e Bashkuara kryen 67 prova me armë bërthamore në Ishujt Marshall. Veçanërisht më 1954 prova e bombës me hidrogjen nga Shtetet e Bashkuara në ishullin Bikini çoi në incidentin më të rëndë të ndotjes bërthamore në Oqeanin Paqësor.