greqia, gazpromi, kathimerini

greqia, gazpromi, kathimerini

Greqia planifikon të paguajë furnizuesin rus të gazit “Gazprom” muajin e ardhshëm në një mënyrë që nuk do të shkelë sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë, deklaroi ministri i Energjetikës, Kostas Skrekas.

Greqia, e cila mbështetet në gazin rus për më shumë se 30% të nevojave të saj vjetore, ka një kontratë me “Gazprom” deri në vitin 2026. Ministri tha gjatë një interviste radiofonike se pagesa e radhës nga kompania greke “DEPA” do të bëhet më 25 maj, por pa sqaruar se në çfarë monedhe, shkruan “Kathimerini”.

“Ne do të paguajmë në një mënyrë që nuk do të shkelë sanksionet dhe do të mbrojë sigurinë energjetike të vendit. “Gazprom” ka propozuar një mënyrë pagese. Kjo ka aspekte juridike, financiare dhe politike. Ne i kemi vlerësuar të gjitha këto aspekte”, -tha Skrekas, duke theksuar se është kërkuar një takim i ministrave të Energjisë së BE-së javën e ardhshme, për të arritur një përgjigje të përbashkët për këtë çështje.

Zëdhënësi i qeverisë greke, Yiannis Oikonomou, deklaroi të enjten se konvertimi i euros në rubla ishte një çështje teknike. “Ne kemi paguar në euro dhe do të paguajmë në euro. Se si do të konvertohen në rubla është një çështje që do të sqarohet. Besoj se procesi do të jetë i qartë deri në fund të majit kur ne duhet të bëjmë pagesën për Gazprom”, -tha ai në një konferencë shtypi. (Irma)