rusia, furnizimet me gaz, dw

rusia, furnizimet me gaz, dw

Polonia ka marrë nga kompania shtetërore ruse e energjisë “Gazprom” njoftimin për ndërprerjen e furnizimit me gaz, deklaroi kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, gjatë një takimi në Berlin me kancelarin gjerman Olaf Scholz, bën të ditur “Deutsche Welle”.

Morawiecki tha se qeveria polake ishte e përgatitur për të përballuar çdo ndërprerje furnizimi nga Rusia dhe se depozitat e gazit ishin të mbushura në nivelin 76%. Ai theksoi se vendi është përgatitur për të marrë gaz nga burime të tjera të mundshme.

Qeveria bullgare njoftoi gjithashtu se pasi nuk kishte pranuar të përmbushte kërkesat e reja të “Gazprom”-it që pagesat të bëhen në rubla, kompania ruse kishte njoftuar se duke filluar nga e mërkura do të ndërpriste furnizimet e gazit për Bullgarinë.

Bullgaria është pothuajse plotësisht e varur nga Rusia sa i përket gazit. Kompania “Bulgargaz” bëri të ditur përmes një deklarate se i ka përmbushur plotësisht detyrimet e saj dhe i ka bërë të gjitha pagesat e kërkuara sipas kontratës aktuale në kohën e duhur, në mënyrë rigoroze dhe në përputhje me kushtet e saj.

Pas sanksioneve të vendosura nga vendet perëndimore, pas nisjes së konfliktit në Ukrainë, Rusia paralajmëroi se do të ndërpresë furnizimet me gaz nëse këto vende nuk paguanin në rubla. Udhëheqësit evropianë e konsiderojnë këtë kërkesë si një shkelje të kontratave ekzistuese me “Gazprom”-in.