Rritet numri i fëmijëve të prekur nga sëmundja e hepatitit ende të pashpjegueshëm. Afro 200 fëmijë rezultojnë të prekur nga sëmundja, të paktën një fëmijë ka vdekur dhe disa të tjerë i janë nënshtruar transplantit të mëlçisë, bën të ditur “Associated Press”.

Rritja e shpejtë e numrit ka bërë që autoritetet shëndetësore në Evropë dhe në SHBA të shtojnë përpjekjet për të gjetur përgjigje.

Sëmundjet nuk kanë lidhje të njohur, megjithëse po hetohet një lidhje e mundshme me një virus që mund të shkaktojë ftohje. Shumica e rasteve janë identifikuar në Evropë. Rastet e para në Mbretërinë e Bashkuar u regjistruan në janar. Rastet janë raportuar në të paktën një duzinë vendesh, duke përfshirë Danimarkën, Anglinë, Francën, Irlandën, Izraelin, Italinë, Holandën, Norvegjinë, Skocinë, Spanjën dhe Mbretërinë e Bashkuar. Në Shtetet e Bashkuara, janë identifikuar disa raste në Illinois dhe Karolinën e Veriut.

Hepatiti zakonisht shkaktohet nga një prej disa viruseve ngjitëse të hepatitit që nuk janë gjetur te fëmijët e prekur. Ndonjëherë sëmundja është e lehtë dhe nuk kërkon trajtim specifik. Por rastet e rënda kërkojnë shtrimin në spital dhe mund të çojnë në dështim të mëlçisë.

Autoritetet janë të pasigurta se çfarë po e shkakton shpërthimin.