Autoritetet shëndetësore dhe ekspertët në Greqi parashikojnë një verë të qetë për pandeminë Covid-19, por edhe një rritje të mundshme të rasteve në vjeshtë kur temperaturat të nisin të bien. Të gjithë treguesit që gjurmojnë përhapjen e pandemisë së koronavirusit, numri i rasteve të reja, shtrimet në spital, pacientët e intubuar dhe vdekjet, janë përmirësuar ndjeshëm gjatë dy javëve të fundit.

“Ky përmirësim pritet të vazhdojë. Ne presim që pandemia të qetësohet gjatë verës, si për shkak të temperaturave më të larta ashtu edhe për faktin se një pjesë e madhe e popullsisë ose është sëmurë ose është vaksinuar”, -deklaroi Ghikas Magiorkinis, ekspert në Departamentin e Higjienës, Epidemiologjisë dhe Statistikave Mjekësore të Universitetit të Athinës, shkruan “Kathimerini”.

Sipas tij, një valë e re ka të ngjarë të rikthehet kur temperaturat e natës të bien vazhdimisht nën 18 gradë celsius.

Në vitin 2020, viti i parë i pandemisë, një rritje filloi në fund të tetorit nga Selaniku. Një tjetër rritje, në tetor 2021, përkoi me ardhjen e variantit shumë ngjitës dhe vdekjeprurës Delta të Covid. Në të dyja rastet, superpërhapësit ishin grupmosha 18-39 vjeç, ndonëse të moshuarit dhe ata me sëmundje të rënda ekzistuese kishin peshën e madhe të shtrimeve në spital dhe të vdekjeve.