Shpenzimet globale të mbrojtjes u rritën në vitin 2021, duke arritur për herë të parë në mbi 2 trilionë dollarë. Në raportin e Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, me seli në Stokholm, thuhet se shpenzimet e mbrojtjes u rritën për 0.7 për qind vitin e kaluar, në krahasim me vitin 2020, duke arritur në 2.113 trilionë dollarë, përcjell “Radio Evropa e Lirë”.

Sipas raportit, lista kryesohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, India, Britania dhe Rusia.

Shtetet e Bashkuara përbëjnë 38 për qind të shpenzimeve ushtarake, ndërsa Kina 14 për qind. Megjithatë, shpenzimet e mbrojtjes në SHBA ranë nga 3.7 për qind e prodhimit të brendshëm bruto në 3.5 për qind. Shpenzimet ushtarake në Rusi u rritën për 2.9 për qind, përkatësisht në 65.9 miliardë dollarë apo 4.1 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Ukraina, në anën tjetër, regjistroi rënie të shpenzimeve të mbrojtjes vitin e kaluar, në 5.9 miliardë dollarë apo 3.2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Por, sipas raportit, shpenzimet e përgjithshme të mbrojtjes në Ukrainë janë rritur me 72 për qind qëkur Rusia aneksoi Krimenë, në vitin 2014.