Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Saeed Khatibzadeh, deklaroi se rifillimi i bisedimeve të Vjenës për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 është në axhendën e Teheranit zyrtar dhe palëve të tjera.

Sipas tij, për Iranin dhe Bashkimin Evropian një ndërprerje e zgjatur nuk është në favor të bisedimeve dhe do të ishte e përshtatshme që negociatat të vazhdojnë sa më shpejt të jetë e mundur, citon “Xinhua”.

Ai tha se çështjet që kanë të bëjnë me Iranin, BE-në, Rusinë dhe Kinën në bisedime janë zgjidhur, duke vënë në dukje se koordinatori i BE-së për negociatat, Enrique Mora, po përpiqet të ketë përparim në pjesën që i takon Iranit dhe SHBA-së.

Khatibzadeh theksoi se si ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir Abdollahian, dhe kryediplomati evropian Josep Borrell janë dakord se një pauzë e zgjatur nuk është në interesin më të mirë të bisedimeve. Megjithatë, ende nuk është marrë një vendim për vendin dhe nivelin e takimit dhe pritet që SHBA të marrë vendimin politik.

Në vitin 2015, Irani nënshkroi marrëveshjen bërthamore, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), me fuqitë botërore, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e tërhoqi vendin nga marrëveshja në maj 2018 dhe rivendosi sanksione ndaj Iranit, duke përfshirë ngrirjen e disa prej aseteve të Iranit jashtë vendit, duke e shtyrë këtë të fundit të heqë disa nga angazhimet e tij bërthamore.

Që nga prilli 2021, disa raunde bisedimesh janë mbajtur në kryeqytetin austriak midis Iranit dhe palëve të mbetura të JCPOA për të ringjallur marrëveshjen.