Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u takua në Kiev me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, për të diskutuar ndihmën e SHBA-së për Ukrainën, njoftoi zyra e shtypit e Presidencës ukrainase, citon “Xinhua”.

Palët diskutuan ndihmën e mbrojtjes, forcimin e sanksioneve ndaj Rusisë, mbështetjen financiare për Ukrainën dhe garancitë e sigurisë, sipas një deklarate në faqen presidenciale ukrainase të internetit.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar 3.4 miliardë dollarë në mbështetje të mbrojtjes për Ukrainën, duke shënuar kontributin më të madh në forcimin e aftësive mbrojtëse të Ukrainës, theksohet në deklaratë.

Ndërsa foli për ndihmën financiare, Zelensky shprehu besimin se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë Ukrainën në rimëkëmbjen pas konfliktit dhe do të lehtësojnë aksesin e mallrave ukrainase në tregun amerikan.

Zelensky gjithashtu bëri thirrje për më shumë sanksione kundër Rusisë, ndërsa i dorëzoi palës amerikane Planin e Veprimit për të forcuar sanksionet.