Presidenti francez Emmanuel Macron fitoi balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022 me 58.6 për qind të votave, sipas një sondazhi paraprak të publikuar të dielën në mbrëmje nga televizioni francez BFMTV.

Rivalja e Macron-it, kandidatja e krahut të djathtë, Marine Le Pen, fitoi 41.4 për qind të votave, sipas sondazhit.

Macron tha se ambicia e tij për pesë vjetët e ardhshëm është ta bëjë Francën më të pavarur e Evropën më të fortë, dhe të vazhdojë të investojë në vend për ta bërë "Francën një komb të madh ekologjik".

Në fjalimin e tij, ai u zotua se do të jetë i vetëdijshëm për qytetarët që votuan për Le Penin dhe falënderoi ata që votuan për të në raundin e dytë kundër kandidates së partisë së ekstremit të djathtë.

Në fjalën e vet pasi mësoi për rezultatet paraprake, Le Pen tha se "rezultati në vetvete është një fitore e bujshme".

"Të lumtë, Emmanuel!", shkroi presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në "Twitter". "Në këtë periudhë të trazuar, ne kemi nevojë për një Evropë solide dhe një Francë plotësisht të përkushtuar ndaj një Bashkimi Evropian më sovran dhe më strategjik."

“Përgëzime Presidentit dhe mikut të vërtetë @EmmanuelMacron për fitoren në zgjedhje,” shkroi presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy në llogarinë e tij në "Twitter" në orët e para të së hënës.

Si presidenti i parë francez që fiton një mandat të dytë në dy dekada, 44-vjeçari u zotua në fushatën e tij për të rritur fuqinë blerëse të popullit francez dhe për të vijuar mbrojtjen ndaj rritjes së çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit në kushtet e mungesës së energjisë të shkaktuar nga kriza ruso-ukrainase. (Artan/Fani)