Foto nga VCG

BE-ja po u kërkon qytetarëve të saj që të përdorin më pak makinat e tyre, të reduktojnë ajrin e kondicionuar dhe të punojnë nga shtëpia tre ditë në javë, për të ulur varësinë nga energjia ruse, shkruan “BBC”.

Këto masa, të hartuara në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë, do t’i kursenin një familjeje tipike 450 euro në vit.

Blerja e energjisë nga Rusia ndihmon në mbështetjen e ekonomisë së saj dhe në financimin e luftës në Ukrainë.

Por Europa ka thënë se e ka të pamundur që të gjejë furnizime alternative, ndaj po u kërkon qytetarëve që të ndryshojnë stilin e tyre të jetesës.

Plani me nëntë pika, i titulluar “Të bëj pjesën time”, u kërkon qytetarëve që të reduktojnë përdorimin e makinave të tyre personale, duke përdorur transportin publik ose duke punuar nga shtëpia tre ditë në javë.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë llogarit se nëse çdo qytetar do të ndiqte rekomandimet e saj, mund të kursehen rreth 220 milionë fuçi naftë çdo vit, të mjaftueshme për të mbushur 120 supertankera. Gjithashtu, do të mund të kurseheshin rreth 17 miliardë metra kub gaz, një sasi e mjaftueshme për të ngrohur afro 20 milionë shtëpi.

Në mars, BE njoftoi planin për ta bërë Bllokun të pavarur nga importet e energjisë ruse deri në vitin 2030.