gazifikimi, atsh

gazifikimi, atsh

Zgjerimi i investimeve në rrjetin e shpërndarjes së gazit natyror është në fokus të objektivave të Entit Rregullator të Energjisë në Shqipëri (ERRE) për periudhën në vijim, me qëllim gazifikimin e vendit, përcjell “ATSH”.

Maksim Shuli, përfaqësues nga ERRE, deklaroi se që prej 15 nëntorit 2020 e në vazhdim përgjatë vitit 2021, TAP ka nisur të operojë si Operator i Pavarur i Sistemit të Transmetimit (OST) me të drejta të plota.

“TAP ka transportuar rreth 8 miliardë m3 gaz nga kufiri greko-turk në Kipoi, ku 6.8 miliardë m3 gaz janë transportuar në Itali përmes Shqipërisë dhe 1.2 miliardë m3 gaz të cilat furnizohen në Greqi”, -tha Shuli, teksa vuri në dukje se, në korrik 2021, “TAP AG”, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe “Albgaz sh.a.” nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për Objektin e Seksionit Jugor në Fier, i cili pasi të përfundojë do t’i dorëzohet shtetit shqiptar për ta menaxhuar dhe vënë në funksion.

Shuli tha se janë 6 projekte prioritare në fushën e gazifikimit, njëri prej të cilëve është dhe më prioritari, ai nga Fieri deri Sarandë, ku do të ndërtohet një tubacion, që në prespektivë do të bëjë lidhjen e të gjithë zonës së jugut të vendit. Po ashtu, parashikohet të ketë një tubacion që nis nga Fieri deri në Kroaci.

Ai tha se, politikat e qeverisë po orientohen edhe drejt depozitimit të gazit.

“Shumë shpejt do të dalë edhe direktiva përkatëse për ruajtjen e rezervës së detyrueshme të gazit natyror, ashtu sikurse është ajo për kapacitetet e rezervave të detyrueshme të naftës për 3 muaj”, -tha Shuli. (Irma)