VCG

VCG

Në vitin 2022, Gjermania do të duhet të paguajë 60 për qind më shumë për energjinë që importon nga Rusia se vitin e kaluar, me faturën e parashikuar që arrin një rekord prej 32 miliardë eurosh (34.5 miliardë dollarë amerikanë), sipas një studimi të publikuar nga “Greenpeace” të martën.

Pagesat e parashikuara të Gjermanisë për naftën ruse do të rriten me 25 për qind në 14.2 miliardë euro, ndërsa fatura e saj për gazin mund të dyfishohet në 17.6 miliardë euro këtë vit, sipas “Greenpeace”, citon “Xinhua”.

Çmimet për energjinë shtëpiake dhe karburantet motorike janë rritur tashmë me 39.5 për qind nga viti në vit. Sipas Entit Federal të Statistikave (Destatis), norma e inflacionit në Gjermani qëndroi në nivelin më të lartë të 40 viteve prej 7.3 për qind në mars.

“Diskutimet e vazhdueshme për një embargo të energjisë ndaj Rusisë nuk duhet të errësojnë faktin se ne duhet të çlirohemi rrënjësisht nga varësia fosile dhe të përshpejtojmë masivisht zgjerimin e burimeve të rinovueshme", -tha Mauricio Vargas, ekspert ekonomik në “Greenpeace”.

Gjermania ka njoftuar tashmë planet për të ndalur gazin rus deri në mesin e vitit 2024. Importet e naftës nga Rusia duhet të përgjysmohen deri në këtë verë, duke e bërë vendin praktikisht të pavarur deri në fund të vitit 2022.