Banka Boterore ABC news

Banka Boterore ABC news

Banka Botërore parashikon që kriza e borxhit të vazhdojë të përkeqësohet këtë vit. Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, David Malpass, duke vënë në dukje se borxhi është një nga dy problemet e mëdha me të cilat përballet rritja globale, tha në një tryezë të rrumbullakët mediatike se 60 për qind e vendeve me të ardhura të ulëta janë tashmë në vështirësi borxhi ose në rrezik të lartë prej tij, bën të ditur “Xinhua”.

Sipas tij, krizat e borxhit dhe zhvlerësimet e monedhës kanë një barrë që bie rëndë mbi të varfrit.

Problemi tjetër i madh për rritjen globale është inflacioni, i cili po shkakton tendosje të madhe, tha Malpass, duke vënë në dukje se politikat duhet të përshtaten për të rritur edhe ofertën, jo vetëm kërkesën.

Shefi i Bankës Botërore vuri në dukje gjithashtu se tregtia globale po përballet ende me kuota, tarifa të larta importi, tarifa të larta eksporti, subvencione të shtrenjta të çmimeve të ushqimit, madje edhe ndalime të eksportit të produkteve ushqimore. "Këto duhet të ndalojnë", -tha Malpass.

Ai i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të rrisë menjëherë ndihmën urgjente për pasigurinë ushqimore dhe të ndihmojë në forcimin e rrjeteve të sigurisë sociale.

Vlerësimet e Bankës Botërore paralajmërojnë se për çdo një pikë përqindje rritje të çmimeve të ushqimeve, 10 milionë njerëz bien në varfëri ekstreme në mbarë botën.

Takimet e Pranverës 2022 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore nisën të hënën më18 prill dhe do të vijojnë deri të dielën, 24 prill.