Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, shpalli gjendjen kombëtare të katastrofës të hënën mbrëma, pas përmbytjeve që kanë përfshirë disa zona të vendit.

Në një fjalim televiziv, Ramaphosa tha se përgjegjësia kryesore për të koordinuar dhe menaxhuar fatkeqësinë u është caktuar autoriteteve qendrore, duke punuar ngushtë me qeveritë rajonale dhe bashkitë, bën të ditur “Xinhua”.

Javën e kaluar, një gjendje rajonale e fatkeqësisë u shpall në KwaZulu-Natal. Dëmet dhe pasojat përmbytjeve i kapërcyen kufijtë rajonalë, tha presidenti, duke shtuar se dëmtimi në portin e Durban kishte pasoja të gjera dhe kjo është arsyeja pse kabineti vendosi të shpallë një gjendje kombëtare të fatkeqësisë.

Porti i Durban, një nga terminalet portuale më të mëdha dhe më të ngarkuara në kontinent dhe një pjesë e rëndësishme e ekonomisë së vendit, është dëmtuar rëndë. Sipas presidentit, qasja në port është ndërprerë nga dëmtimet e shumta në rrugën Bayhead, e cila lidh portin me pjesën tjetër të vendit.

KwaZulu-Natal ka përjetuar kohët e fundit përmbytjet më të mëdha që nga viti 1987, të cilat u morën jetën të paktën 440 personave dhe dëmtuan rëndë shtëpi, biznese, rrugë dhe ura.

Është vlerësuar se më shumë se 40.000 njerëz janë zhvendosur. "Kjo është një fatkeqësi humanitare që kërkon një përpjekje masive dhe ndihmë urgjente", -tha presidenti Cyril Ramaphosa.