Covid i gjate Kathimerini

Covid i gjate Kathimerini

Pacientët që zhvillojnë më shumë se pesë simptoma të Covid-19 kur zhvillojnë sëmundjen kanë më shumë gjasa të zhvillojnë sindromën e Covid-it të gjatë, sipas shkencëtarëve.

Njerëzit në rrezik të sindromës së Covid-it të gjatë janë pacientët e moshuar, njerëzit obezë, gratë, ata me një histori astme dhe njerëzit që kanë pasur shumë simptoma gjatë fazës akute të Covid-19, përcjell “Kathimerini”.

“As fëmijët nuk mbrohen. Ata mund të kenë Covid të gjatë dhe në fakt në një përqindje jo të vogël”, -tha Anastasia Kotanidou, drejtoreshë e Klinikës së Kujdesit Intensiv të Universitetit Kombëtar të Athinës (EKPA) në Evangelismos, gjatë një aktiviteti të fundit shkencor të EKPA.

Ajo tha se edhe kur të ndalojë pandemia, do të dëgjojmë për sindromën e Covid-it të gjatë për një kohë të gjatë.

Covid-i i gjatë ndodh kur simptomat vazhdojnë për më shumë se 12 javë pas prekjes nga koronavirusi dhe për të cilat nuk ka një diagnozë alternative. Incidenca e sindromës është raportuar në studime të ndryshme nga 2% deri në 30% të pacientëve të infektuar me virus dhe vlerësohet se tre nga katër pacientë që duhet të trajtohen për Covid-19 shfaqin të paktën një simptomë, kryesisht lodhje, që vazhdon për gjashtë muaj pas fazës akute të sëmundjes.

Për sa u përket fëmijëve, ka studime që tregojnë se sindroma shfaqet në 15% të grupmoshës 12-16 vjeç.