Delegacionet e palës ruse dhe asaj ukrainase mbërritën përkatësisht të dielën dhe të hënën në Bjellorusi për bisedime, njoftoi agjencia e lajmeve “Sputnik” të hënën. Bisedimet filluan të hënën.

Rusia dhe Ukraina ranë dakord të zhvillojnë negociata, çka është një fillim i mirë. Zv. ministri i Jashtëm rus Andrey Rudenko u shpreh të dielën se Rusia është e gatshme të diskutojë kushtet për arritjen e paqes dhe përfundimin e gjakderdhjes. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se pala ukrainase i mirëpret bisedimet.

Që kur Rusia filloi një "operacion të posaçëm ushtarak" kundër Ukrainës, ushtria ruse ka depërtuar në shumë qytete të Ukrainës dhe ushtria ukrainase ka qëndruar me të gjitha forcat. Luftimet ndërmjet dy palëve kanë vazhduar të përshkallëzohen dhe numri i viktimave dhe humbjet kanë vazhduar të rriten. Bashkësia ndërkombëtare është e shqetësuar për përhapjen e luftës dhe zërat që u bëjnë thirrje Rusisë dhe Ukrainës ta zgjidhin problemin me negociata sa më shpejt të jetë e mundur, po bëhen më të forta.

Presidenti kinez Xi Jinping vuri në dukje në një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin së fundmi se Kina mbështet Rusinë dhe Ukrainën për ta zgjidhur çështjen përmes negociatave. Ministri i jashtëm kinez Wang Yi zhvilloi biseda telefonike me sekretaren e Jashtme britanike Liz Truss, përfaqësuesin e lartë për punët e jashtme të BE-së Josep Borrell, këshilltarin diplomatik të presidentit francez Emmanuel Bonne dhe ministren e jashtme gjermane Annalena Baerbock. Në këto biseda kryediplomati kinez u shpreh se Kina mbështet dhe inkurajon të gjitha përpjekjet diplomatike që ndihmojnë për zgjidhjen paqësore të krizës ukrainase dhe mirëpret zhvillimin sa më shpejt të dialogut të drejtpërdrejtë ndërmjet Rusisë e Ukrainës.

Turqia, Katari, Hungaria, Serbia, Brazili, Argjentina, Kili, Kuba dhe vende të tjera kanë publikuar gjithashtu deklarata, duke kërkuar krijimin e një kanali dialogu paqësor sa më shpejt të jetë e mundur, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Një zgjidhje politike e krizës kërkon përpjekjet e përbashkëta të të gjitha palëve të interesuara. Përveç negociatave dhe dialogut të drejtpërdrejtë ndërmjet Rusisë e Ukrainës, është gjithashtu e nevojshme që Evropa dhe Rusia të kenë një dialog të barabartë për krijimin e një mekanizmi afatgjatë dhe të qëndrueshëm të sigurisë evropiane. Shkaku kryesor i problemit ruso-ukrainas është i thellë dhe kompleks. Evropa duhet ta inkurajojë Ukrainën që të bëhet një urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit, në vend që ta bëjë atë një kufi të përballjes midis fuqive të mëdha. Evropa duhet të krijojë kushte që negociatat ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës të arrijnë rezultate dhe të zbutin konfliktet, në vend që të vendosë sanksione ndaj Rusisë nga njëra anë dhe t'i ofrojë Ukrainës armë të përparuara nga ana tjetër, të cilat vetëm intensifikojnë kontradiktën dhe kanë efekt të kundërt.

Rusia dhe Ukraina vendosën të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të sjellin shpresë për një zgjidhje politike të krizës. Të dyja palët në konflikt dhe palët e tjera të përfshira duhet të shfrytëzojnë mundësinë për të punuar së bashku për ta zgjidhur krizën dhe për të sjellë paqen.(Zhan Dian/Artan)