Në prag të hapjes së Olimpiadës Dimërore të Pekinit, presidenti i Rusisë Vladimir Putin i dha një intervistë të posaçme me shkrim drejtorit të përgjithshëm të CMG-së Shen Haixiong.


foto nga VCG

foto nga VCG

Intervista vijon si më poshtë:

Shen Haixiong: I nderuar zoti President, më vjen mirë që kam mundësinë t'ju intervistoj sërish! Para së gjithash, ju mirëpresim ngrohtësisht në Kinë për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022. Në shkurt 2014, Presidenti Xi Jinping u ftua të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të 22-ta të mbajtura në Soçi të Rusisë. Ishte gjithashtu hera e parë që një kryetar shteti kinez mori pjesë në një veprimtari të madhe sportive ndërkombëtare të mbajtur jashtë vendit. Presidenti Xi Jinping tha në atë kohë: "Sigurisht që duhet të bëj një udhëtim të veçantë për t'i uruar personalisht fqinjët kur kanë një ngjarje të lumtur". Këtë vit Kina organizon për herë të parë Olimpiadën Dimërore, pikërisht gjatë Festës së Pranverës, kësaj ngjarjeje të madhe. Kur Kina paraqiti kandidaturëm për Lojërat Olimpike Dimërore, parashtroi qartë vizionin e "përfshirjes së 300 milionë njerëzve në sportet e akullit dhe dëborës". Tani edhe në vendlindjen time, Zhejiang, që ndodhet në Kinën Jugore, ka një resort skish. Ju jeni lideri i parë global që bëtë një deklaratë të qartë për pjesëmarrjen në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore. Sipas mendimit tuaj, çfarë roli të veçantë luan sporti në "fqinjësinë" midis Kinës e Rusisë dhe si mund të forcojnë më tej të dy vendet shkëmbimet dhe bashkëpunimin në kulturën e akullit dhe borës, sportet e akullit dhe borës dhe industrinë e akullit dhe borës? Çfarë rezultatesh prisni të arrijë Rusia në këto Lojëra Olimpike Dimërore? A mund të bëni një parashikim të përafërt se sa medalje ari mund të fitojë Rusia?


foto nga VCG

foto nga VCG

Putini: Unë e njoh presidentin Xi Jinping për një kohë të gjatë. Si miq dhe politikanë të mirë që ndajnë shumë pikëpamje të përbashkëta për zgjidhjen e problemeve botërore, ne kemi mbajtur gjithmonë komunikim të ngushtë. Prandaj, e pranova menjëherë ftesën e tij për të vizituar Kinën dhe dëshiroj të ndaj me miqtë e mi kinezë gëzimin e organizimit të kësaj veprimtarie të rëndësishme sportive botërore të këtij viti, Lojërave Olimpike Dimërore. Vlen të theksohet se Lojërat e para Olimpike Dimërore të mbajtura në Kinë do të zhvillohen pikërisht gjatë Festës së Pranverës, Vitit të Ri Kinez, dhe Pekini është bërë qyteti i parë në histori që fiton të drejtën e organizimit si të Lojërave Olimpike Verore, ashtu edhe të Lojërave Olimpike Dimërore.

E di që organizatorët janë përgatitur për Olimpiadën, duke investuar masivisht në infrastrukturën sportive dhe të transportit, duke ndërtuar stadiume moderne dhe duke krijuar kushte për të garantuar sigurinë e sportistëve, trajnerëve dhe gazetarëve të huaj gjatë qëndrimit të tyre në Kinë.

Unë besoj se përgatitje të tilla cilësore për fillimin e Lojërave Olimpike do t'i ndihmojnë olimpistët të shfaqin plotësisht forcën e tyre të vullnetit dhe do t'u mundësojnë atyre të demonstrojnë aftësitë e tyre dhe të arrijnë objektivat që kanë vendosur në një konkurrim të drejtë dhe të paepur. Sigurisht, ne do të bëjmë tifo për sportistët tanë dhe do të gëzohemi për çdo fitore, çdo arritje. Por sa dhe çfarë medaljesh do të fitojmë - këtë vetëm konkurrenca do ta tregojë. Epidemia mund të ndikojë edhe në pjesëmarrjen e sportistëve, e cila nga ana tjetër ndikon në rezultatet përfundimtare.

Sporti është një dukuri e posaçme e qytetërimit njerëzor, kurse organizimi i një takimi të madh sportiv ndihmon në shkurtimin e largësisë midis popujve dhe në njohjen më të mirë të njëri-tjetrit, në forcimin e parimit të pranuar gjerësisht për konkurrim të ndershëm. Organizimi i suksesshëm i Olimpiadës Dimërore të vitit 2014 në Soçi, Kupa e Botës e FIFA-s e vitit 2018 dhe veprimtari të tjera të mëdha sportive janë mbajtur me sukses në vendin tim, gjë që është një dëshmi e gjallë e kësaj.

Rusia do të vazhdojë të jetë e përkushtuar ndaj vlerave tradicionale sportive. Ne kundërshtojmë me vendosmëri politizimin e sportit dhe shfrytëzimin e sportit si mjet për ushtrimin e presionit dhe për konkurrencë jo të barabartë. Ne jemi të mendimit se nuk mund të pranohet dënimi kolektiv për shkeljen personale të rregullave, por kjo po bëhet një gjë e zakonshme. Natyrisht që ne dënojmë ashpër përdorimin e dopingut nga sportistët dhe mbrojmë bashkëpunimin e gjerë ndërkombëtar për të eliminuar dopingun në sport.

foto nga VCG

foto nga VCG

Vendi ynë ka një infrastrukturë të zhvilluar, shkolla sportive të njohura për kampionët që kanë nxjerrë dhe për programet e tyre, si dhe përvojë në organizimin e veprimtarive të mëdha ndërkombëtare, dhe sportistët tanë kanë thyer shumë rekorde botërore. Të gjitha këto ndihmojnë që qytetarët tanë, veçanërisht të rinjtë, të merren me sport, të promovojnë shëndetin kombëtar dhe të vendosin një themel të fortë për arritjet e ardhshme sportive. Ne planifikojmë që deri në vitin 2024, përqindja e popullsisë që merr pjesë rregullisht në aktivitete fizike të shkojë në 55%, dhe deri në vitin 2030 të arrijë në 70%.

Lidhjet midis Rusisë dhe Kinës në fushën e sportit janë të gjera e gjithëpërfshirëse dhe luajnë një rol të rëndësishëm në bashkëpunimin kulturor dypalësh. Shumë veprimtari, duke përfshirë ato në sportet dimërore, janë bërë vërtet simbol. Këto përfshijnë: Lojërat Dimërore të Rinisë Rusi-Kinë dhe lojërat vjetore miqësore të hokejit mbi akull të luajtura nga ekipe nga zonat kufitare të dy vendeve në lumin Amur (Heilongjiang). Shkëmbimet midis federatave sportive të Rusisë e Kinës dhe klubeve profesioniste janë zhvilluar gjithashtu në mënyrë aktive. Për shembull, klubi kinez i hokejit mbi akull "Kunlun Red Star" ka luajtur në Ligën Kontinentale Ruse të Hokejit prej disa vitesh, sipas një marrëveshjeje që kam bërë gjatë vizitës sime në Kinë në vitin 2016. Përveç kësaj, ne kemi krijuar ndërveprime në zhvillimin e të rinjve për të luajtur hokej mbi akull. Në qershor 2018, presidenti Xi dhe unë pamë një ndeshje miqësore hokeji mbi akull mes fëmijëve rusë dhe fëmijëve kinezë.

Në dhjetor të vitit 2021, unë dhe presidenti Xi Jinping shpallëm së bashku që 2022-2023 të jetë Viti i Shkëmbimeve Sportive Rusi-Kinë. Kjo do të bëhet patjetër një ngjarje e rëndësishme dhe tërheqëse në jetën e të dy popujve tanë. Nën këtë temë kryesore përfshihen gjithsej mbi 500 aktivitete të ndryshme në fushën e sportit masiv dhe të sportit të të rinjve, të arsimit sportiv, të shkencës e të talenteve sportive etj.

foto nga VCG

foto nga VCG

Unë besoj se Pekini do të zhvillojë një Olimpiadë Dimërore të nivelit më të lartë. Të gjithë sportistëve dhe olimpistëve ju uroj një konkurrim të mbarë e rezultate të mira dhe të gjithë të ftuarve ju uroj të kenë përshtypje të mira e të paharrueshme dhe gjendje të gëzuar shpirtërore.

Shen Haixiong: Pas përjetimit të "miqësisë së ndërsjellë", "partneritetit konstruktiv", "partneritetit të koordinimit strategjik" dhe "partneritetit të koordinimit strategjik gjithëpërfshirës", në qershor 2019 marrëdhëniet midis dy vendeve u ngritën në nivelin e "Partneritetit Gjithëpërfshirës Strategjik Kinë-Rusi në Epokën e Re". Më 28 qershor 2021, gjatë videotakimit tuaj me presidentin Xi Jinping, ju njoftuat zgjatjen e Traktatit të Fqinjësisë së Mirë, Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Kinës e Rusisë. Ju lutem, a mund të flisni për rëndësinë e kësaj në marrëdhëniet midis dy vendeve ?

Putini: Traktati i Fqinjësisë së Mirë, Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Rusisë e Kinës, i nënshkruar më shumë se 20 vjet më parë, është një dokument programor bazë që hedh një bazë ligjore për zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të partneritetit të koordinimit gjithëpërfshirës strategjik Rusi-Kinë. Kështu, më 28 qershor të vitit të kaluar, presidenti kinez Xi Jinping dhe unë bashkërisht vendosëm ta zgjasim traktatin edhe për pesë vjet të tjerë.

foto nga VCG

foto nga VCG

Ai është një dokument që nxit mendimin dhe shumë nga pikat e tij vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në situatën e sotme ndërkombëtare që ndryshon me shpejtësi.

Marrëdhëniet Rusi-Kinë zhvillohen në baza të barabarta dhe joideologjike. Partneriteti ynë është i qëndrueshëm dhe i pavarur, nuk ndikohet nga politika dhe nuk drejtohet kundër askujt. Kjo marrëdhënie bazohet në respektimin dhe vlerësimin e interesave themelore të njëri-tjetrit, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Përveç kësaj, besimi reciprok që formohet mbi bazën e këtij traktati na krijon mundësi të ndërtojmë së bashku një kornizë të bashkëpunimit ndërshtetëror në shumë nivele, dhe takimi i liderëve të të dy vendeve ka luajtur rol kyç për këtë.

foto nga VCG

foto nga VCG

Kina renditet e para ndër partnerët tregtarë të Rusisë. Pavarësisht kufizimeve të koronavirusit, shifrat paraprake tregojnë se tregtia dypalëshe arriti një rekord prej 140 miliardë dollarësh vitin e kaluar.

Kina është partneri ynë strategjik në skenën ndërkombëtare. Për shumicën e çështjeve në agjendën globale, ne jemi të lidhur ose jemi shumë afër. Ne mbajmë një koordinim të ngushtë brenda organizatave dhe mekanizmave të mëdhenj shumëpalësh, si Kombet e Bashkuara, BRICS, Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, G20, Bashkëpunimi Ekonomik Azi-Paqësor dhe Samiti i Azisë Lindore, të cilat kanë një efekt stabilizues në botën e sotme komplekse.

Në përfundim, dëshiroj të ritheksoj: konceptet që kemi vendosur në Traktatin e Fqinjësisë së Mirë, të Miqësisë dhe Bashkëpunimit Rusi-Kinë e kanë çuar partneritetin mes dy vendeve tona në një nivel të lartë si kurrë më parë, me një ndryshim cilësor në natyrën dhe shkallën e tij, duke krijuar kushtet për të punuar edhe më tej së bashku.

Shen Haixiong: Nëse më lejoni, do të doja t'ju bëja një pyetje në emër të përdoruesve kinezë të internetit dhe dashamirësve të sporteve të akullit dhe borës. Kur ju intervistova më shumë se tre vjet më parë, ju përmendët se do të "provonit" të luanit ndonjëherë hokej mbi akull. Por doli se ajo që thatë atëherë ishte shumë modeste. Në ndeshjen e Ligës Mbarë-Ruse të Hokejit të Natës të mbajtur në maj të vitit të kaluar (2021), ju shënuat në 30 sekondat e para dhe shënuat gjithsej 8 gola vetë, gjë që nuk është më pak sesa ajo që bëjnë sportistët profesionistë. A keni ndonjë këshillë për të ndarë me dashamirësit kinezë të sporteve të akullit dhe borës? Nëse ju kërkohet të parashikoni, kush mendoni se do të shënojë golin e parë për skuadrën ruse në ndeshjet e hokejit të Lojërave Olimpike Dimërore? Përveç hokejit mbi akull, në cilin sport tjetër dimëror dëshironi të "zbuloni" aftësitë tuaja?


foto nga VCG

foto nga VCG

Putini: Unë nuk mendoj se jam i kualifikuar për të dhënë ndonjë këshillë për njerëzit që e duan hokejin, ose lërini lojtarët dhe trajnerët profesionistë të hokejit ta bëjnë këtë. Sipas mendimit tim, nuk ka rëndësi se çfarë sporti luan, ajo që ka rëndësi është që njerëzit të luajnë rregullisht sportin që duan. Këmbëngulni, lëvizni me vendosmëri drejt qëllimeve tuaja dhe më pas zotëroni gradualisht aftësitë.

Hokeji mbi akull ka një traditë të gjatë në Rusi dhe është shumë popullor. Një vend të veçantë këtu zë Liga e Hokejit e Natës, e krijuar në vitin 2011. Sot liga ka gati 1100 ekipe dhe bashkon më shumë se 20000 lojtarë të hokejit mbi akull nga shumica e vendit tonë. Shumë nga kampionët tanë të famshëm olimpikë ose kampionë të botës janë përfshirë në mënyrë aktive në zhvillimin e këtij programi, dhe unë u jam shumë mirënjohës atyre.

Arritjet tona në këtë drejtim janë të dukshme. Vitin e kaluar numri i amatorëve të hokejit në akull në vendin tonë i kaloi 620 mijët dhe është ende në rritje.

Do të doja të merrja pjesë në veprimtaritë e ligës atëherë kur ma lejon programi im. Megjithatë, interesat e mia sportive nuk mbarojnë këtu. Sa herë që më jepet rasti, shkoj për ski. Më pëlqen gjithashtu dygarëshi dimëror (biatloni) dhe patinazhi artistik, ku sportistët tanë kanë qenë gjithmonë shumë të fortë. Jam i interesuar edhe për kërcimin me ski. Megjithatë, për shkak të mungesës së kohës, garat mund t’i shikoj vetëm në TV.

foto nga VCG

foto nga VCG

Sigurisht, ne presim me padurim paraqitjen e shkëlqyer të lojtarëve tanë të hokejit mbi akull në Lojërat Olimpike Dimërore. Rusia ka "ushtri hokeji" të stërvitura mirë, të bashkuara dhe fituese, secila prej të cilave ka aftësinë të jetë e para që do të fusë topin në portën e kundërshtarit.

Nuk ka dyshim se ndeshjet e hokejit mbi akull në Lojërat Olimpike Dimërore do të jenë emocionuese dhe të paharrueshme si kurrë më parë. Ne do të bëjmë tifo për një lojë të mirë hokeji, dhe natyrisht, besojmë në lojtarët tanë të hokejit dhe u urojmë atyre fat.