Foto: Visual People

Foto: Visual People

Komiteti i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) ka bërë të ditur se ka rekomanduar përdorimin e një ilaçi anti-inflamator të artritit për pacientë e prekur rëndë nga koronavirusi i ri pasi redukton rrezikun e vdekjes, transmeton “Anadolu Agency”.

Rregullatori evropian i barnave njoftoi se komiteti i EMA-s mbi barnat ka rekomanduar zgjerimin e indikacionit të “RoActemra” për të përfshirë trajtimin e të rriturve me Covid 19, të cilët po marrin trajtim sistematik me kortikosteroide dhe kërkojnë oksigjen shtesë ose ventilim mekanik.

Ilaçi tashmë është përdorur për trajtimin e pacientëve me forma të ndryshme të artritit që vuajnë nga inflamacioni.

“RoActemra”, shpjegoi EMA duke iu referuar një studimi që përfshin mbi 4 mijë pacientë të rritur të shtruar në spital, reduktoi rrezikun e vdekjes te pacientët që kishin nevojë për oksigjen ose ventilim shtesë dhe që kishin inflamacion.

Sipas studimit, te njerëzit e kuruar me ilaçin “RoActemra” së bashku me trajtimin standard vdiqën 31 për qind, ndërsa tek ata që morën vetëm trajtim standard vdiqën 37 për qind.

Po ashtu, 57 për qind e personave të grupit të parë arritën të fitojnë betejën brenda 28 ditëve krahasuar me 50 për qind të atyre në grupin e dytë.

Pas rekomandimit të EMA-s, Komisioni Evropian do të zgjasë licencën e marketingut të ilaçit, i cili është në pronësi të kompanisë farmaceutike zvicerane “Roche”. (Elona)