
Kryeministri në detyrë i qeverisë së përkohshme të Afganistanit, Mullah Hassan Akhund, deklaroi se Afganistani dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me komunitetin ndërkombëtar, duke përfshirë fqinjët dhe vendet e rajonit, njofton “Xinhua”.
"Emirati Islamik dëshiron të ketë marrëdhënie të mira, lidhje ekonomike dhe të bashkëjetojë me të gjitha vendet. Afganistani nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të asnjë vendi, nuk është politika jonë", -tha Hassan Akhund në fjalimin e tij, dhënë nga transmetuesi shtetëror “RTA”.
Lidhur me arsimimin e grave, Hassan Akhund tha se të drejtat e grave janë të mbrojtura, dhe se Emiratet Islamike respektojnë të drejtat e arsimimit për gratë dhe vajzat. “Grave do t'u sigurohet një hapësirë imune për arsimimin e tyre bazuar në ligjet islame”, -tha ai.
Ai u bëri thirrje guvernatorëve të provincave, shefave të policisë dhe gjyqtarëve që të bëjnë më të mirën për t'u ofruar shërbim afganëve.
Kryeministri në detyrë gjithashtu u bëri thirrje afganëve që të bashkohen dhe të rindërtojnë vendin duke përfshirë ekonominë e tij me vullnet të mirë, vëllazëri dhe unitet. (Fatosi)







