
Nje deformim tektonik në Venus, që drejtohet nga lëvizja e brendshme sikurse në Tokë është prova që disa pjesë të sipërfaqes së Venusit lëvizin ngjashëm me ato të Tokës.
“Kemi identifikuar një model të panjohur më parë të deformimit tektonik në Venus. Edhe pse ndryshe nga tektonika që ne aktualisht e shohim në Tokë, kjo është prap provë e lëvizjes së brendshme që shprehet në sipërfaqen e planetit tha Paul Byrne, profesor nga Universiteti Shtetëror i Karolinës së Veriut, cituar nga BBC. Sipas BBC-së, për të qenë në gjendje të përshkruajnë strukturat sipërfaqësore, shkencëtarët përdorën të dhënat e mbledhura nga viti 1989 deri më 1994 nga anija kozmike Magelan e NASA-s.
Studiuesit i kanë quajtur këto struktura sipërfaqësore si “campi”, nga latinishtja për fjalën “fusha”. “Tradicionalisht, litosfera e Venusit – shtresa e saj e jashtme shkëmbore – mendohej se ishte në një pjesë të vazhdueshme, në kontrast me Tokën, e cila është e thyer në pllaka tektonike të lëvizshme”, theksohet më tej.
Megjithatë, BBC raportoi se sipas gjetjeve të shkencëtarëve, “litosfera e Venusit në të vërtetë ka një farë shkalle lëvizshmërie, edhe pse jo sa ajo e Tokës”.“Aktiviteti tektonik i Venusit mund të ngjajë me atë në Tokën e hershme, gjatë Erës Arkeane, midis 4 miliardë dhe 2,5 miliardë vjet më parë, kur rrjedha e nxehtësisë brenda planetit ishte më e lartë dhe litosfera më e hollë”, shtohet më tej.
Sipas hulumtimit, blloqet, 100 deri 1.000 kilometra të gjata, gjithashtu i ngjajnë korës së Tokës në pellgjet Tarim dhe Sichuan të Kinës dhe pellgun Amadeus të Australisë, si dhe Masivit Bohemian që mbulon pjesën më të madhe të Republikës Çeke.







