Eksperti i OBSh-së Vladimir Dedkov u shpreh që tregu i frutave të detit "Huanan" në Wuhan ndoshta ka pasur kushte për përhapjen e koronavirusit, por nuk ka dëshmi që virusi e ka origjinën atje.
Dedkovi është zv.drejtori i punëve shkencore në Institutin e Kërkimeve të Epidemiologjisë dhe Mikrobiologjisë të Shën-Petërburgutdhe anëtar i grupit të ekspertëve të OBSh-së që po bën hetime në terren në Wuhan.
“Tregu është shumë larg nga gjendja perfekte...Nuk është e sigurt që ka filluar atje, nuk ka prova që virusi e ka burimin aty. Ndoshta virusi u shfaq në një vend tjetër, por hipotetikisht, atje janë të gjitha kushtet për përhapjen e virusit,” theksoi Dedkovi në një intervistë për "Sputnik News".
Tregu "Huanan" ka lidhje me një vatër infektimesh të hershme me COVID-19, por shkencëtarët ende nuk kanë arritur një përfundim të qartë për rolin e këtij tregu në këtë epidemi.
Grupi i OBSh-së ka bërë vizita në disa vende në Wuhan, duke përfshirë spitalet ku u trajtuan pacientët me COVID-19 në fazën e parë të shpërthimit, si edhe tregjet që kanë lidhje me infektimet e para.
Javën e kaluar, grupi i ekspertëve bëri vizitë në Institutin e Virologjisë të Wuhan-it, që është akuzuar për daljen e koronavirusit. Pas vizitës, Dedkovi hodhi poshtë thënien që virusi ka dalë nga atje.
“Gjithçka ishte e organizuar mirë. Nuk e di kush po i kritikon ata. Pajisjet në atë laborator janë moderne dhe e kam të vështirë ta mendoj që diçka mund të dalë jashtë prej aty,” tha ai.(Jiang Lei)