Raporti i kredive me probleme rezultoi i qëndrueshëm në nivelin 8.1% edhe për muajin gusht. Statistikat tregojnë se moratoriumi i pagesave dhe masat e përkohshme rregullatore të Bankës së Shqipërisë po e mbajnë këtë tregues të qëndrueshëm.
Bankierët janë të mendimit se një ide më e qartë e efektit të krizës në cilësinë e portofolit të sistemit të kredisë do të krijohet vetëm pas fillimit të vitit të ardhshëm, shkruan “Monitor”.
Moratoriumi u krijoi hapësira huamarrësve që u përballën me vështirësi nga kriza t’i shtynin këstet e kredive deri në fund të muajit gusht. Paralelisht, bankave nuk u kërkohet riklasifikim i kredive për këtë periudhë. Duke pasur parasysh që koha e nevojshme që kreditë të klasifikohen si joperformuese është 90 ditë. Gjasat për të pasur luhatje të mëdha të treguesit të kredive me probleme deri në fund të këtij viti do të jenë të pakta.
Bankieret presin që efektet e krizës së Covid-19 në kthimin e kredive do të fillojnë të reflektohen nga dhjetori dhe më pas përgjatë gjithë vitit të ardhshëm, thuhet në një vëzhgim të “Monitor”.