Sivjet është 75-vjetori i krijimit të OKB-së. Në situatën e tanishme të ndërlikuar globale, Kina vazhdon të mbështesë me vendosmëri OKB-në, të mbrojë multilateralizmin, të promovojë bashkësinë e fateve të përbashkëta të njerëzimit dhe të kontribuojë me mençurinë dhe idetë kineze në qeverisjen globale. Ditët e fundit, Matthias Schmale, drejtori i zyrës së Gazës në Agjencinë e OKB-së për Ndihmën dhe Punët lidhur me Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), shprehu në një intervistë për CMG-në vlerësimin e vet të lartë për rolin e luajtur nga Kina në OKB.

"Në vitet e kaluara, unë kam parë që nëpërmjet pjesëmarrjes në veprimtaritë përkatëse të OKB-së, Kina ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe forcimin e multilateralizmit. Kina është kontribuuesja e dytë më e madhe në operacionet paqeruajtëse të OKB-së. Mendoj se në vitet e kaluara, nëpërmjet OKB-së, Kina ka konsoliduar dhe forcuar multilateralizmin dhe ka garantuar që punët e ndryshme përkatëse të kryhen në mënyrë të rregullt," u shpreh Matthias Schmale.

Schmale shpjegoi se puna e UNRWA-së është kryesisht ndihma ndaj refugjatëve palestinezë në Gazë, Bregun Perëndimor, Liban etj. dhe ofrimi i mjeteve të nevojshme të jetesës, arsimimit, mjekimit etj. Gaza ka qenë nën bllokadën e Izraelit për më shumë se një dekadë dhe refugjatët palestinezë janë në gjendje të vështirë. Kina nuk i ka harruar kurrë refugjatët palestinezë dhe jo vetëm përkrah kauzën e drejtë të popullit palestinez politikisht dhe moralisht, por edhe i ndihmon palestinezët ekonomikisht. Në shumë raste, si Forumi i Bashkëpunimit Kino-Arab, Kina ka shprehur përkujdesin dhe mbështetjen e saj për Palestinën. Kina jo vetëm që ka ofruar ndihmë humanitare emergjente për Palestinën, por edhe fonde për UNRWA-në për të përmirësuar jetën e refugjatëve palestinezë. Pas shpërthimit të epidemisë së koronavirusit të ri në Palestinë sivjet, Kina dhuroi gjithashtu materiale parandaluese mjekësore në pesë zonat e funksionimit të UNRWA-së, për të ndihmuar refugjatët palestinezë të luftojnë epideminë.

"Kontributi i Kinës për UNRWA-në është në dy fusha. Së pari, në fushën politike, ka 1.4 milion refugjatë palestinezë në Gazë. Kina nuk i ka harruar kurrë ata dhe ka shprehur përkrahjen ndaj tyre. Mbështetja e Kinës është shumë e vlefshme. Përveç kësaj, Kina ka dhënë edhe mbështetje të madhe financiare. Këtë vit morëm dhurime shumë të vlefshme nga Kina, përfshirë pajisje të mbrojtjes personale, për të ndihmuar refugjatët palestinezë përballë epidemisë," tha drejtori i zyrës së Gazës në UNRWA Matthias Schmale. (Çang Çuo)