Me përfundimin e Luftës së Ftohtë, struktura botërore që ishte shfaqur që nga mesi i shekullit të kaluar mori fund dhe rendi ndërkombëtar hyri në një periudhë në të cilën ShBA-ja luan rol dominues. Qysh nga ajo kohë, bota është bërë gjithnjë e më shumë multipolare.

Që nga fillimi i këtij shekulli, me ngritjen e Kinës, BE-së dhe forcimin e Brazilit, Rusisë, Indisë, Afrikës së Jugut dhe Indonezisë, ka nisur të formësohet një botë shumëpolare dhe bashkë me të, kanë ardhur sfida të reja të qeverisjes globale. Midis tyre, sfida kryesore është krijimi i një rendi të ri ndërkombëtar shumëpolar të bazuar në bashkëpunimin me dialog dhe diplomaci dhe jo në konkurrencë me konfrontim dhe luftë. Për të pasur një kalim të qetë për një botë shumëpolare, ne duhet të kemi një sistem efektiv të shumëpalësisë.

Ndërtimi i një OKB-je më të fuqishme varet nga dëshirat e vendeve të saj anëtare. Ne mirëpresim reformën e rregullave dhe mekanizmave ekzistuese të OKB-së. Siç tha ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së Dag Hammarskjöld: "Ndoshta OKB-ja nuk do t’i sjellë parajsën njerëzimit, por patjetër mund ta shpëtojë njerëzimin nga ferri".

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres e përcaktoi fazën e tanishme si "shumëpalësia nuk është përmbushur ende" dhe përmendi 5 sfidat kryesore të njerëzimit: prishja gjeopolitike, dëmtimi i mjedisit, mosbesimi tek globalizimi dhe ndikimet negative të teknologjive digjitale dhe pandemitë. Pa bashkëpunim shumëpalësh, asnjë sfidë ndaj njerëzimit nuk mund të mbikalohet. Nëse një vend anëtar i OKB-së dëshiron të bëjë një hap prapa, anëtarët e tjerë duhet të ecin një hap përpara.