Me përhapjen e epidemisë së COVID-19, qeveritë e vendeve të ndryshme të botës po presin me padurim që të marrin sa më parë vaksinën për të kontrolluar gjendjen epidemike. Zëdhënësja e OBSh-së Margaret Harris u shpreh në një mbledhje të OKB-së se, për momentin, nuk ka “sinjal të qartë” që ndonjë ndër vaksinat që janë futur në fazën e provës klinike, përputhet me standardet përkatëse, dhe shtoi se shkencëtarët duhet të bëjnë krahasim të gjithanshëm për të gjitha vaksinat.

“Dua të shpjegoj hollësisht përse nevojitet një kohë kaq e gjatë për fazën e tretë të provave klinike. Sepse në këtë fazë duhet të testohet si efekti i vaksinave, edhe siguria e tyre. Megjithëse para fazës së tretë, është testuar në mënyrë të kujdesshme siguria e vaksinës, gjatë tërë fazës së provave klinike duhet t’i kushtojmë gjithmonë vëmendje sigurisë,” thotë Margaret Harris.

Në një konferencë shtypi të organizuar nga OBSh-ja, kryeshkencëtarja e kësaj organizate Soumya Swaminathan theksoi që, para kontrollit dhe shqyrtimit të plotë, nuk duhet të miratohet promovimi global i vaksinave dhe se të gjitha vaksinat kandidate duhet të plotësojnë tre fazat e provës klinike:

“Vaksinimi në shkallë të gjerë mund të bëhet vetëm kur organet rregullatore, qeveritë dhe OBSh-ja të kenë pranuar që vaksina plotëson kërkesat minimale të efektivitetit dhe sigurisë”.

Swaminathan bëri të ditur pak kohë më parë që OBSh-ja po bashkëpunon me organet rregullatore të vendeve të botës, për të hartuar standarde mbi vaksinën e COVID-19, sipas të cilave niveli i efektivitetit të vaksinës duhet të arrijë mbi 50%. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus premtoi para mediave se “e garatojmë publikun që OBSh-ja nuk do të ofrojë njohje zyrtare të vaksinave me efektshmëri të ulët dhe jo të sigurta”.

Krahas kësaj, Ghebreyesus-i bëri thirrje që më shumë vende të marrin pjesë në planin e OBSh-së për vaksinën e COVID-19 para 18 shtatorit. (Jiang Lei)