Projekti per Pogradecin (Foto Atsh)

Projekti per Pogradecin (Foto Atsh)

Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, kryetari i bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli si dhe Aleksandër Sarapuli nga Fondi i Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan kanë diskutuar hapat teknikë dhe kalendarin e zbatimit të punimeve për projektin që do të transformojë zonën Drilon-Tushemisht.

Bëhet fjalë për një investim që kap vlerën e 15.5 milionë dollarëve, që do të sjellë një transformim të qëndrueshëm, duke e kthyer qytetin e Pogradecit në një destinacion turistik shumë më të preferuar për vizitorë vendas e të huaj.

Për këtë zonë janë miratuar në total 3 projekte. Parku i Drilonit me vlerë 5.5 milionë dollarë është i financuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, ku është parashikuar të realizohet rehabilitimi i gjithë parkut deri te burimet e Zagorçanit (Gurasit), rehabilitimi i fasadave të objekteve të Tushemishtit, si dhe tre parkime publike e një qendër vizitorësh, citon “ATSH”.

Po ashtu, me mbështetjen e qeverisë shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, është miratuar fondi me vlerë 4 milionë dollarë dhe aktualisht është në proces prokurimi, për zbatimin e projektit të Shëtitores së Tushemishtit nga ura e Drilonit deri në pikën doganore të Tushemishtit.

Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, deklaroi se projekt-ideja i ishte paraqitur drejtorit të AADF-së dhe bordit të këtij fondacioni, që në vitin 2016. “Ky projekt mori aso kohe miratimin e bordit për t’u financuar dhe është një lajm i shkëlqyer që sot projekti është në fazën e zbatimit”, -shtoi prefekti Jole. (Elona)