VCG

VCG

Programi për Zhvillimin i Kombeve të Bashkuara (PNUD), në kuadër të projektit “Përmirësimi i mbulimit dhe menaxhimit efektiv të zonave të mbrojtura detare dhe bregdetare në Shqipëri-Faza II”, ka realizuar monitorimin e cilësisë së ekosistemit dhe modelimin e ndikimit të ndryshimeve klimaterike në habitatet detare.

Për herë të parë është bërë monitorimi i temperaturave të ujit në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, në thellësi të ndryshme. Matjet u bënë në 10 stacione të shpërndara të parkut detar, citon “ATSH”.

Ky monitorim, i pari i këtij lloji në Shqipëri, është realizuar në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Zhytjes, në koordinim me ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë si dhe autoritetet përkatëse. Ky projekt ka mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Agjencisë Italiane për Bashkëpunim e Zhvillim si dhe të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Si rezultat, është krijuar për herë të parë një model dinamik i temperaturave të kolonës ujore në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan dhe në territoret përreth tij, i cili do të shërbejë si bazë për vlerësimin e ndikimeve të ndryshimeve klimaterike në të ardhmen.

Përballja me ndryshimet klimatike kërkon angazhim në disa nivele për të analizuar shkallën e ndikimit të tyre në mjedis si edhe për të marrë masa për minimizimin e ndikimeve negative. (Elona)