Produktet tradicionale dhe autentike që janë shndërruar në “markë shqiptare” mbrohen tashmë duke u regjistruar si produkte me emërtim origjine të mbrojtur (EOM apo GI).

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, solli në rrjetet sociale lajmin e regjistrimit të një produkti të Kelmendit- djathin “Mishavinë”. “Një produkt më shumë se 100-vjeçar, të cilin duke e mbrojtur si produkt origjine të mbrojtur i ruajmë identitetin shqiptar por dhe i japim vlerë”, - shkroi ministrja, duke shtuar se nxisin në këtë mënyrë zhvillimin bujqësor, rural dhe turistik, në drejtim të ruajtjes së traditës dhe përmirësimit të cilësisë së jetës në zonat rurale.

“Emërtim origjine” nënkupton emërtimin gjeografik të një vendi, rajoni ose lokaliteti, i cili shërben për të përcaktuar një produkt me origjinë nga këto vende, cilësia ose karakteristikat e të cilit i atribuohen ekskluzivisht ose në thelb mjedisit gjeografik, duke përfshirë faktorët natyrorë dhe njerëzorë.

Shqipëria është një vend që ka shumë produkte të kësaj natyre, të cilat duhen identifikuar dhe nxitur për t’u certifikuar, pasi regjistrimi kombëtar e më tej ai ndërkombëtar ndikojnë në rritjen e vlerës së këtyre produkteve tradicionale, në gjallërimin e zonave rurale, në ruajtjen e biodiversitetit, të trashëgimisë kulturore dhe gastronomike dhe ofrojnë mundësinë e njohjes në tregjet e huaja të produkteve karakteristike shqiptare. (Elona)