Finalizohet investimi për Portin Turistik të Durrësit. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama.

Sipas tij, ky proces ka qenë një punë intensive negociatash, diskutimesh, por u arrit nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit, midis “Eagle Hills Real Estate Development shpk”, përfaqësuar nga investitori e zhvilluesi Muhammed El Alabbar dhe “Albanian Seaports Development Company”, për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina”, për ndërtimin e portit më të madh turistik të Mesdheut në Durrës, shkruan “RTSH”.

Kryeministri Rama bëri të ditur se projekti nuk do të ndryshojë vetëm Durrësin, por të gjithë bregdetin shqiptar. Sipas tij, do të hapen mijëra vende pune, do të sjellë jahte, do të rritet vlera e pasurisë së qytetarëve të Durrësit dhe e pronave në vijën bregdetare. Rama tha se bëhet fjalë për rritjen e imazhit që do të ketë Shqipëria turistike në Evropë.

Investitori Muhammed El Alabbar deklaroi se me projektin e Portit Turistik të Durrësit do të krijohet diçka madhështore. “Është bërë punë e madhe, ka qenë rrugëtim i vështirë, por projekti ka sjellë më pranë Shqipërinë dhe Emiratet Arabe. Do të krijojmë diçka që njerëzit kur të vijnë, do të duan mos të largohen kurrë. Do të krijojmë diçka të bukur që nuk do të zhgënjejë”,- deklaroi Muhammed El Alabbar. (Irma)