Migen Qiraxhi është diplomuar për arkitekturë në Universitetin e Tiranës. Ai është njëri prej themeluesve dhe drejtuesve te Qëndresës Qytetare, organizatë me fokus qendror cilësinë e arsimit në vend. Angazhimi i tij në shoqërinë civile prej 10 vitesh konsiston në fushën e aktivizmit kreativ si drejtues i disa projekteve dhe reagimeve qytetare. Misioni i tij është të kontribuojë në mirëarsimimin dhe formimin të rinjve. Migeni ka shërbyer gjithashtu si ekspert lokal për prezencën e OSBE-së në Shqipëri.

CMG:A është jeta juaj me çaste refleksionesh?

Migen Qiraxhi: Është e vështirë që njeriu mos të shohë veten në pasqyrë. Aty fillon kontakti me atë çfarë ti je në të vërtetë. Shpesh përpiqem që të ndihem krenar për atë që jam. E ndiej të nevjoshme t’i kthehem vetes,duke reflektuar për të.

CMG: Për shumë njerëz fëmijëria është çelësi për dyert e së ardhmes. Ka qënë kështu edhe për ju?

Migen Qiraxhi: Po është mëse e vërtetë që fëmijëria lë gjurmë në jetët tona. Unë jam rritur në qytetin e Pogradecit dhe mendoj që ai qytet më thurri shumë ëndrra dhe më rriti me shumë dashuri. Në atë kohë unë endesha mes një sërë pasionesh për jetën. Piktura ishte qetësia e ditëve të mia dhe koleksioni i monedhave pasioni tjetër. Monedhat i koleksionoja nga frymëzimi që pata nga një burrë, i cili çdo ditë shtronte një copë në tokë dhe bashkë preknim çdo monedhë të botës.

CMG: A ka nisur herët vetëdijësimi për të drejtat e njeriut dhe "lufta" për to?

Migen Qiraxhi: Nuk mendoj se ka nisur shumë herët, por ka nisur në universitet, duke kuptuar çfarë vlere ka liria. Nuk mund të them që ka nisur herët sepse sot kuptoj që shumë gjëra. Kur unë jetoja në fëmijërinë time në Pogradec, shumë gjëra nuk ishin ashtu siç duhet të ishin dhe unë nuk bëja asgjë për t’i ndryshuar ndërsa sot arrij të bëj dallimin. Unë besoj se ajo tabela në murin e çdo shkolle kur ishim të vegjël, që shkruante të drejtat dhe detyrimet duhet të lexohet me shumë vëmendje. Duhet të thellohemi në histori për të kuptuar cilat janë të drejtat tona dhe çfarë ne duhet të marrim në jetë.

CMG: Kush kanë qenë njerëzit, të cilët ju kanë ndihmuar në momente të vështira?

Migen Qiraxhi: Prindërit e mi kanë ditur gjithmonë se si të amortizojnë çdo problem. Unë nuk mund të them që kam kaluar shumë vështirësi në jetë, por në momentete më delikate drejtimin patjetër e kam pasur tek familja ime .

Një moment shumë i vështirë për mua ka qenë kur më është dashur të filloj studimet, por edhe atë vendim e mora duke bashkëbiseduar në familje. Doja t’i jepja pak artit dhe pak arkitekturës. Por, thellimi i problemeve nis kur në fakt mbyll studimet pasi gjërat nuk janë më romantike, por pragmatike. Këtu unë pata mbështetjen e familjes. Gjithashtu bashkëshortja ime ka pasur një ndikim të madh tek hapat e mia në sukses. Ajo u martua me një djalë me ëndrra, të cilat sot edhe ajo vetë i duartroket. Ka qenë nje suport pa të cilin s'do të mundja. Po ashtu edhe vëllai.

CMG:Kush i jep kuptim jetës suaj ?

Migen Qiraxhi: Jetës sime i jep kuptim adrenalina me të cilën e jetoj dhe jap kontribut i orientuar nga impakti. Misioni im është të kontribuoj drejt duke dhënë gjykim të drejtë. Dua të ndikoj në jetët e njerëzve. Mendoj që unë duhet të jem fëmijë i mirë dhe të rris fëmijë të mirë. Duhet të japësh drejtësi aty ku duhet!

CMG:Ju jeni në sfidë me botën, apo veten?

Migen Qiraxhi:Jo, as me njërën, as me tjetrën. Unë jam në sfidë me vlerat dhe me parimet. Dua që në raport me veten të jem sfidues, duke luftuar me vlerat dhe parimet . Unë punoj 16 orë në ditë dhe arritjet e mia i manifestoj me qetësi. Në fund të ditës dua të jem i qetë dhe i lumtur.

Lufta jonë nuk është vetëm suksesi. Ka vlerë të jesh njeri që bën punë të mirë. Dua të lë pas një model të mirë .Unë nuk shkel dot kurrë mbi parime.

CMG: Çfarë ju motivon të jeni aktivist?

Migen Qiraxhi: Unë kam fatin që të jem ndërmjet dy gjërave: arkitekt dhe aktivist. Nuk e cilësoj veten sikur punoj, por ndjek pasionet e mia. Të jesh aktivist do të thotë ta duash jetën e të tjerëve, po njësoj si tënden.

CMG: A ka diçka që i trembesh ?

Migen Qiraxhi: Unë i mbroj gjërat pikërisht me kaq forcë sepse vetmia më frikëson . Kujdesem shumë për familjen dhe rrethin tim pasi dua që ata të jenë gjithmonë aty .

Intervistoi: Megi Latifi