Albana Muçaj është diplomuar në gazetari dhe shkenca juridike. Ajo ka kryer studimet në Shqipëri dhe Itali. Prej vitit 2002, Albana ka punuar si gazetare për çështjet ekonomike në Agjensinë Telegrafike Shqiptare, Monitor, ABC News, etj. Gjatë karrierës së saj ka trajtuar çështje të ndryshme në fushat e investimeve, tregtisë, prodhimit, shërbimeve, intervista dhe profile të grave në biznes. Vitet e fundit Albana është kryeredaktore e revistës digjitale dedikuar sipërmarrjes, startup-eve dhe vetëzhvillimit, “Businessmag.al”.

Prej vitit 2016 Albana është themeluese dhe drejtuese e Qendrës Multifunksionale Kallz, e cila ofron programe pas shkolle dhe kurse të fokusuar tek rritja e shëndetshme e fëmijëve. Me sipërmarrjen e saj, Albana fitoi si një nga idetë më të mira, mes 120 ideve të biznesit në programit të trajnimit IDEA në vitin 2016.

Gjatë verës 2020 Qendra Kallz fitoi mundësinë e zhvillimit të një platforme për mësimin online të fëmijëvë në nivel rajonal, pasi u zgjodh fitues i kësaj kategorie në Balkaton-in, e zhvilluar nga Këshilli Rajonal për Bashkëpunim (RCC). Krahas platformës së mësimit online, Qendra Kallz po zhvillon edhe revistën dedikuar familjes, prindërve dhe fëmijëve “Kallzat magazine”.

Albana, është pjesë e rrjetit të mentorëve IDEA, trajnuar nga mentorë gjermanë në fushën e sipërmarrjes, si dhe Ambasadore e IOM për Diasporën Shqiptare. Ajo është gjithashtu ambasadore e Women Startup Competition dhe një nga themelueset e Dhomës Ekonomike të Gruas në Shqipëri.

CMG : Çfarë i thoni vetës kur i dilni pasqyrës përpara?

Albana Muçaj:Sot nëse e shoh veten në pasqyrë do të thoja që puna ia vlen. Puna të nxjerr në dritë dhe ky është mesazh që do doja t’ua jepja të gjithëve. Ia vlen sepse unë që studente kam punuar, kam bëre nga dy punë. Ia vlen sepse puna paguhet dhe shpërblehet. Nuk të sjell vetëm finanaca, por të sjell rezultate, njohje të reja, miq të rinj. Të sjell mundësinë për të krijuar marrëdhënie të mira me njerëzit dhe për të krijuar sinergji mes tyre. Puna të ndihmon të jesh një katalizator i pozitivitetit në shoqëri dhe kjo më është mundësuar per shkak se një pjesë të madhe të punës sime ia kam kushtuar gazetarisë.

CMG :Me kaq sa keni ecur deri tani në fushën profesinale, a e quani veten të realizuar?

Albana Muçaj: Unë ende nuk e quaj vetën të arritur. Jam në një etapë të rrugëtimit tim në të cilin shoh se ka ende shumë mangësi dhe shumë gjëra për të plotësuar. Kjo punë ështe pak a shumë si puna e të nxënit: pra sa më shumë dije merr, aq më shumë zgjerohet rrethi i të panjohurave. Po kështu edhe me me punën: sa më shumë punon në projekte dhe në punë të ndryshme, aq më shumë njerëz njeh dhe aq më shumë kantiere pune të hapen.

Më bëri përshtypje edhe tek prezantimi që më kishin bërë kur mora titullin Ambasadore e Paqes, as nuk e kisha menduar një vlerësim të tillë. Ata më renditën si ambasadore e IOM-it për diasporën për shkak se unë kam studiuar në Itali. Ndërkohë, po filloja pak të qeshja edhe me veten time se thashë paskan renditur një listë ambasadorësh. Duke qenë se jemi të dhënë pas punëve, ne nuk jemi çdo ditë aty duke mbajtur trofetë tona në duar.

CMG:Si do ta përkufizonit rrugëtimin tuaj të deritanishëm?

Albana Muçaj: Përsa i përket rrugëtimit tim mund të them se u ngjan shumë grave dhe vajzave në Shqipëri, të cilat përveç se studiojnë shumë në universitet dhe në shkollë, përpiqen të jenë një shembull model për familjet e tyre. Të nderojnë prindërit, duke realizuar ëndrrat e tyre, por edhe ëndrrat e vetë këtyre vajzave. Më pas krijojnë familje dhe përpiqen të jenë një model për fëmijet e tyre dhe për familjet qe kanë krijuar.

Më pas edhe shoqëria e zgjeruar, të krijon mundësinë të jesh model, nëse dëshiron, edhe për ata. Une jam e nderuar qe rrethohem çdo ditë nga gra dhe vajza që perpiqen të bëjnë diçka përveç punës së tyre. Edhe nëse janë sipërmarrëse janë gjithmonë në kërkim të mundësive të reja, për to dhe njerëzit qe kanë të punësuar.

CMG: Çfarë është ajo gjë që e bëni çdo ditë dhe ende nuk ju ka lodhur?

Albana Muçaj: Ajo që bëj unë çdo ditë është që gjithmonë përpiqem të bëj më shumë, duke e gjetur veten shpeshherë të sfiduar ne fund të ditës për gjërat qe nuk kam arritur, për problemet qe mund të kem pasur apo për zgjidhjet që mund të mos kenë qënë të drejta.

E gjithë jeta është një sfidë, por e rëndësishmë është që kurba të jetë në ngritje dhe të mos ketë ulje-ngritje të theksuar që të godet dhe të dëmton biznesin, por të kujdesemi që kjo kurbë të jetë tendencë rritëse.

CMG:Çfarë është për ju ambicia? Jeni ambicioze?

Albana Muçaj: Ambicia: Një krimb i mirë që të bren brenda vetes dhe nuk të lë hapesirë të biesh në komoditetin e një punë fikse dhe të kënaqesh me atë që ke, pavarësisht se unë e kam mësuar në moshë të hershmë që është shumë e rëndësishme t’i gëzohesh një punë sado të vogël që ti e ke arritur.

T’ju tregoj një situatë: kur isha 18 vjeçe ishte shumë e vështirë te studioje gazetari. Ishim 250 që konkuruam dhe 17 fituam. Para se të fitoja, kisha premtuar që nëse do e arrija këtë gjë, do të kërceja në mes të lagjes. Në fakt nuk e mbajta premtimin. Tani them: pse nuk e kam mbajtur? Duhet te kisha kërcyer mes lagjes! Pra dua të them që rrugëtimi është ambicie dhe duhet ta kesh atë ambicie.

CMG:Kthehemi pas në kohë, si ka qënë fëmijëria juaj?

Albana Muçaj: Unë jam rritur me prindërit në shtëpi dhe me gjyshën. Mamaja ime ishte infermiere dhe babai agronom. Ishtë një fëmijëri shumë e këndshme, me shumë dashuri në familje dhe si fëmija i parë me sa duket e kam shfaqur atë ambicie qëkur isha e vogël: të isha e para e klasës, e dalluar në shkollë dhe të arrija gjëra. Ngacmimet për të qënë ambicioze i kam marrë që atëherë. Mbaj mend që kur vinin kushërinjtë më të mëdhenj, shfletoja fletoret dhe u tregoja notat që kisha marrë. Mesa duket, doja t’u mburresha.

CMG :Ka suksese në jetë, por ka edhe vështirësi. Cilat kanë qënë disa për ju?

Albana Muçaj: Vështirësitë që kam kaluar kanë qenë te shumta, por prapë do thoja që jam si shumë gra dhe vajza të cilat duan të arrijnë gjëra dhe për këtë kalojnë nga një punë në tjetrën. Unë i shoh gratë dhe vajzat shumë ambicioze. Sfida më e madhe? Unë e kam ndarë pak edhe në librin e profesor Malajt qe kam redaktuar, ku ndanim të njëjtin mendim lidhur me portat e mbyllura dhe është një element që e gjeta tek vetja dhe profesor Malaj e gjeti ketë tek libri i tij.

Kur një portë mbyllet, një portë e madhe hapet. Dhe realisht unë e kam besuar gjithmonë këtë. Nuk jam stepur kurrë nga dyert e mbyllura, bile ato më kanë bërë më të fortë. Por është e rëndësishme që as ti të mos i mbyllesh dyert vetës. Kur ikën nga një vend pune, duhet ta lësh një hapësirë rikthimi, dhe unë këtë e kam bërë ngado që kam ikur.

CMG: Sa e vështirë është te jësh grua në karrierë në Shqipëri, ka paragjykime?

Albana Muçaj: Një tjetër vështirësi janë edhe përkufizimet dhe paragjykimet e njerëzve. Këtë e shoh nga eksperienca personale, por edhe në 5 vite si kryeredaktore e BM dhe aty mund të shoh edhe reflektimet e ekspertëve, biznesmenëve dhe këshilluesve të karrieres. Ata theksojnë një fakt qe edhe unë e kam vërtetuar: askush nuk duhet të të kufizojë. Sepse përkufizimet janë kufizime për dike.

Nuk është mirë që t’i themi dikujt: ti nuk ia del dot! Kjo për të është një prerje krahësh. Këto janë përkufizime vrastare për punonjësin, për kompnainë dhe mjedisin e punës.

CMG:Na flisni për punën tuaj të parë

Albana Muçaj :Puna e parë të mëson tepër dhe unë kam kënaqësinë të them punën e parë, ne dy vitet e fundit të universitetit, e cila ka qënë gazetare ekonomike tek ATSH. Aty kam mësuar shumë rreth lajmit dhe reportazhit. Kam mësuar shumë nga redaktori i ekonomisë Artan Gjata, i cili ishte si një shkollë e dytë për mua. Ps asaj kohe ika në Itali për një tjetër universitet dhe më pas u ktheva ne Shqipëri duke punuar si gazetare ekonomike. Puna e parë ishte si një shkollë e dytë për mua.

CMG :Si i keni raportet me kohën dhe menaxhimin e saj?

Albana Muçaj :Menaxhimi është një fjalë shumë e madhe dhe kërkon një vullnet sepse është një sfidë në vetvete. Aq më tepër në Shqipëri kur gjërat janë ndryshe. Unë nuk jam një menaxhere e mire sepse për më tepër kam dhe dy fëmijë të cilët sidomos edhe pas pandemise përpiqem të jem sa më shumë me ta sepse e ndjej që kanë nevojë për mua. Fundjavat përpiqem të jem me ta.

Shpeshherë nuk mjafton dita dhe për këtë shërbën mëngjesi i hershëm. Nga ora 5:30 deri në 7:30, rri dhe merrem me gjerat e mia, por gjithashtu edhe në darkë vonë, psi fëmijët ulen dhe flenë mund të bëj edhe ndonjë punë tjetër. Por e di që kam shumë punë për të bërë sa i takon mirëmenaxhimit.

CMG :Ndalemi tek angazhimet tuaja në fushën biznesit. Si ka ecur qendra për femijët?

Albana Muçaj :Qendra për 5 vite ka qënë tek Kodra e Dielit dhe prej një viti është tek “Komuna e Parisit”. Është një program passhkollor, qendër kursesh të cilëve iu bashkuan disa prindër që kishin interes. Tani shërben për fëmijë nga klasa e parë deri ne klasën e gjashtë, e cila përveç mësimit merret edhe me përkujdesjën e tyre. Kurset që ofrohen aty janë për gjuhët e huaja, artin, teknologjinë dhe disa aktivitete jashtëshkollore për fëmijët qe ndihmojnë në socializimin e tyre dhe që të mësohen sa më shumë me njëri-tjetrin.

Është një punë shumë e mire, por me shumë sfida. Ata duhen ndarë për shkak se janë mosha të ndryshme. Tek ambientet që kemi nuk bëjmë dot aktivitete sportive dhe ajo na mungon. Por këtë e kemi kombinuar me aktivitete që bëjme jashtë qendrës. Kjo qendër nuk u hap si një nevojë për të punuar, unë doja të bëja diçka që plotësonte nevojat e mia dhe të miqve të mi që e kishin këtë kërkesë. Duke qënë gazetare, prej gati dy vitesh kam sjellë edhe një revistë për fëmijët ku sjellim historitë e fëmijëve, marrëdhëniet e prindërve me fëmijet dhe adoleshentet. Gjatë pandemisë kam fituar një projekt rajonal për të zhvilluar një platformë të mësimit online. Ajo është realizuar dhe mësimi mund të zhvillohet në kohë reale. Sepse gjatë pnademisë pamë që mësimi nuk zhvillohej në kohë reale.

CMG :Si u ndjetë kur morët titullin “Ambasadore e Paqes”?

Albana Muçaj :Unë e mora titullin “Ambasadore e Paqes” me shumë modesti dhe shumë thjeshtësi. Kjo nuk është një punë, ky është një mision. Erdhi shumë natyrshëm ky titull dhe kjo gjë më gëzoi. Të jem e sinqertë ishte një vlerësim që më bëri të ndihem mirë, e lumtur. U ndjene mirë familjarët e mi që kisha ftuar aty të cilët gjithashtu nuk po e kuptonin shumë çfarë çmimi do të merrja. Ishte shumë e bukur.

Një nga arsyet që më pëlqeu ishte fakti se Ambasadorë të Paqes janë edhe njerëz të thjeshtë, siç unë jam. Por u ndjeva edhe më mirë kur pashë se e kishin marrë edhe personalitetet. Një nga angazhimet e mia në drejtim të marrëdhënieve do të jetë tek gratë dhe vajzat në fushën e teknologjisë. Do të shohim që t’i ndihmojmë edhe më tej në këtë fushë. Çdo gazetar duhet të jetë ambasador paqeje. Një sfidë për t’u theksuar është se kur ke shumë angazhime duhet të jesh sa më efikas. Të japim sa më shumë brenda atij afati kohor që kemi dhe koha është e shkurtër. Ju faleminderit

Intervistoi: Megi Latifi