Janë të shumta rastet e personave të zhdukur, si jashtë ashtu edhe në Shqiplri. Janë mobilizuar për të frenuar këtë fenomen programe të ndryshme televizive në mbarë botën, duke patur në fund edhe rezultate pozitive. Në programin televiziv shqiptar “Pa gjurmë” trajtohet ky fenomen, duke i ardhur në ndihmë të gjithë individëve të cilët kanë mbetur pa shpresë për fatin e të afërmve apo të dashurve të tyre. Grupmoshat e personave të humbur janë nga fëmijë dhe deri në moshën e tretë. Shkaqet e humbjes, apo arsyet e largimit janë nga më të ndryshmet, por duket se kohët e fundit programet televizive, në bashkëpunim me policinë e shtetit kanë patur sukses në lidhje me gjetjen e të humburve. Sa mund të jetë numri i personave të humbur në Shqipëri dhe në cilën periudhë ka patur më shumë të humbur?

Në intervistën tonë për Grupin Mediatik të Kinës flet për këtë Freard Rista, gazetar në programin televiziv “Pa gjurmë”.

CMG: Sa mund të jetë numri i personave të humbur në Shqipëri?

Freard Rista: Përshëndetje! Referuar pyetjes tuaj se sa janë njerëzit e humbur në Shqipëri, dua të them se nuk ka një shifër të saktë zyrtare nga organet kopetente, pra nga policia e shtetit, shtuar këtu dhe faktin se jo të gjithë personat që humbasin denoncohen si të humbur nga familjarët e tyre. Disa familjarë mund të bëjnë denoncim në polici, ndërsa disa familjarë të tjerë kërkojnë edhe ndihmën e emisioneve investiguese. Në programin, "Pa gjurmë" në sezonin shtator 2021 deri në muajin korrik të vitit 2022 kemi trajtuar plot 157 raste të humburish, që i përkasin viteve të ndryshme.

CMG: Në cilën periudhë kohe ka patur më shumë të humbur?

Freard Rista: Sa i takon viteve, periudhës kohore në të cilën kanë humbur personat që ne kemi trajtuar për këtë vit në programin "Pa gjurmë" , unë do e ndaja në tre periudha kohore, në tre dhjetë vjeçarë, ku vitin më të hershëm e kemi patur në vitin 1987, rasti i një fëmije 3 vjeç. Pas viteve '90 kanë qenë vitet e emigrimit masiv të shqiptarëve, ndaj unë i kam ndarë nga viti 1987- 2000, 2001- 2011 dhe 2012 -2022. Edhe pse pas viteve '90 shumë shqiptar kanë emigruar jashtë vendit, nga malet apo nga deti me skafe e gomone, e nuk janë kthyer më, duket se numrin më të madh të të humburve e mban periudha e 10 vjeçarit të fundit nga viti 2012- 2022. Nga të gjithë të humburit që kemi trajtuar në 11 muajt e fundit më shumë se 58 % e tyre i përkasin 10 viteve të fundit.

CMG: Nga cila zonë e Shqipërisë rezultojnë më shumë persona të humbur?

Freard Rista: Lidhur me zonat e Shqipërisë prej nga vijnë personat që janë denoncuar të humbur, më duhet të them se, në bazë të statistikave tona si program, zona e jugut kap 50 për qind të të humburve, 30 për qind Shqipëria e mesme dhe 20 përqind veriu i vendit. Arsyeja se përse zona e jugut mban numrin më të madh të personave të humbur, ka të bëjë dhe me faktin se në jug është i përqëndruar një numër jo i vogël i popullsisë së vendit, si dhe me vetë pozitën gjeografike, me lehtësinë për të emigruar jashtë vendit në mënyrë ilegale, nëpërmjet detit. Gjithashtu edhe për faktin se gjithnjë popullsia e jugut ka qenë më e prirur për të emigruar jashtë kufijve të Shqipërisë.

Ndërsa përsa i takon vendit ku janë denoncuar të humbur këta persona, përqindjen më të madhe e mban zona e Shqipërisë së mesme me 48 për qind, jugu me 38 për qind, ndërsa veriu me vetëm 14 për qind. Fakti që numri më i madh i të humburve është denocuar si vend humbjeje Shqipëria e mesme, është për shkak se vitet e fundit pjesa më e madhe e popullsisë është përqëndruar në këto zona si Tiranë, Durrës, Elbasan dhe jo vetëm. Kjo lidhet dhe me statistikat që përmenda pak më parë, që shumica e të humburve që i kemi trajtuar i përkasin 10-vjeçarit të fundit, periudhë ku masivisht shqiptarët i janë drejtuar kryeqytetit dhe zonave përreth. Megjithatë është për t’u përmendur fakti se nga 157 persona që kemi trajtuar gjatë këtij viti, 60 për qind e tyre kanë humbur në territorin shqiptar dhe pjesa tjetër, pra 40% kanë humbur jashtë kufijve të Shqipërisë.

CMG: Cila gjini dhe grupmoshë është më e ekspozuar ndaj këtij fenomeni?

Freard Rista: Përsa i përket gjinisë, në bazë të të dhënave tona, duke u nisur edhe nga rastet që kemi trajtuar, gjinia mashkullore duket se është me e ekspozuar ndaj fenomenit të humbjes. Nga 157 persona të humbur që kemi trajtuar në 11 muajt e fundit, 107 prej tyre kanë qenë meshkuj dhe vetëm 50 kanë qenë femra. Kjo lidhet dhe me faktin se gjinia mashkullore është më e prirur të emigrojë jashtë vendit, ku duhet thënë se shumë të rinj kanë humbur jashtë territorit të Shqipërisë, por edhe për faktin se shpesh te rinjtë, pra meshkujt krijojnë konflikte që fakteqësisht përfundojnë me humbje jete.

Në shumë raste trupat e pajetë nuk gjenden dhe përsa kohë nuk gjenden këta persona figurojnë të humbur. Lidhur me grupmoshat unë do t’i ndaja në katër të tilla, pasi çdo grupmoshë ka arsye të ndryshme për të cilat humbet.

Të miturit 0-18 vjeç, të rinjtë 19-40 vjeç, të rriturit 41-60 vjeç dhe mosha plus 60 vjeç, pra mosha e tretë. Nga të dhënat që kemi nxjerrë vitin e fundit na rezulton se grupmosha më e prirur ndaj fenomenit të humbjes është 19-40 vjeç, pra të rinjtë. Kjo lidhet më shumë me pavarësinë që ka kjo moshë, me dëshirën për të marrë vendime vetëm, vendime që shpeshherë janë të nxituara, por edhe të gabuara.

CMG: Cilat janë arsyet më të shpeshta që këta individë humbasin dhe sa persona keni arritur që të gjeni nëpërmjet programit tuaj "Pa gjurmë"?

Freard Rista: Arsyet më të shpeshta të humbjeve janë të ndryshme. Për të qenë i sinqertë, për aq kohë sa këta persona rezultojnë të humbur, në shumicën e rasteve arsyeja e humbjes nuk dihet. Ndërsa kur dihet nga familjarët apo nga policia kemi zbuluar se, arsyeja më e zakonshme është personale apo familjare. Këtu kemi të bëjmë me grupmoshën 19-40 vjeç. Ajo çfarë dua të them me arsye personale apo familjare është kur dikush largohet nga banesa sepse do të krijojë një jetë të re, nuk njofton familjen, humbet gjurmët dhe zhduket.

Duket e çuditshme, por është e vërtetë. Kemi pasur shumë raste të tilla kur shumë persona mund të kenë 5,7 apo 10 vite që janë larguar nga familja, madje janë gjallë e shëndoshë e mire. Madje ka shumë nga këta persona të humbur në Shqipëri, të cilët kanë krijuar familje jashtë vendit, por thjesht nuk e kanë njoftuar familjen e tyre të parë si prindërit, motrat, vëllezërit. Dikush vendos të emigrojë, dikush vendos të merret me aktivitete të jashtligjshme dhe përfundon në burg e kështu i humb kontaket me familjarët.

Ndërsa përsa i takon moshës së tretë 60 vjeç e sipër, arsyeja e vetme e humbjes së tyre ndodh për shkak të sëmundjes së sklerozës, pra problemeve të shëndetit mendor. Ata dalin nga shtëpia për të blerë diçka, apo për një shëtitje dhe nuk arrijnë të kthehen më në banesë, jo sepse nuk duan, por nuk dinë të kthehen. Kemi arritur të gjejmë mjaft të moshuar, ndërsa fatkeqësisht shumë prej tyre gjenden të pa jetë, pasi mund të jënë rrëzuar, mund të bëhen pre e aksidenteve të ndryshme nga pakujdesia etj.

Në moshën 0-18 vjeç kryesisht arsyeja kryesore është rrëmbimi i fëmijëve me qëllim trafikimi apo dhe birësimi në këmbim të parave. Ne në programin tonë, “Pa gjurmë” gjatë 11 muajve të fundit, nga 157 persona që kemi trajtuar të humbur, kemi arritur të gjejmë 40 prej tyre, ku fatmirësisht 31 janë gjetur me shenja jete, ndërsa fatkeqësisht 9 persona janë gjetur të pajetë.

Programet televizive i kanë ardhur në ndihmë publikut, ndër to edhe emisioni “Pa gjurmë”, i cili vazhdon të rezervojë emocione për shikuesit e tij, si dhe t’u rikthejë shpresën familjarëve, të cilët kanë humbur kontaktet me të afërmit e tyre.

Intervistoi: Sava Lena