Kontributi i sektorit të turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) dhe në rritjen e punësimit u përshpejtua në dymujorin maj-qershor të këtij viti.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, publikoi të martën në rrjetet sociale statistikat zyrtare mbi kontributin e këtij sektori në ekonominë e vendit.

Sipas saj, turizmi ka dhënë një kontribut pozitiv për ekonominë e vendit, duke shënuar një rritje me 23% të qarkullimit të biznesit në sektorin e hoteleri-turizmit, referuar deklaratave të TVSH-së për periudhën maj-qershor 2022 krahasuar me maj-qershor 2021.

Sipas ministres, pothuajse të gjitha aktivitetet e këtij sektori rezultuan me rritje, përkatësisht “akomodime të tjera” me 80% dhe “hotele dhe struktura të ngjashme” me 57%.

Ibrahimaj theksoi se edhe punësimi gjithashtu shënoi rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ose me rreth 23% krahasuar me periudhën para pandemisë (2019).

“Këto shifra dhe jo perceptimet që shfaqen lart e poshtë këto ditë tregojnë qartë për ecurinë e këtij sektori të rëndësishëm, rritjen e konsumit dhe vlerën që turizmi ka në rimëkëmbjen e ekonomisë”,- theksoi ministrja Ibrahimaj. (Elona)