Xhulia Kurti është një studente e vitit të tretë të Shkencave Kompjuterike në Universitetin “Aleksander Moisiu” të Durrësit. Ajo u rendit e dyta në botë në Konkursin Botëror të Shpikjeve të Reja Kompjuterike për vitin 2021 ku në fazën finale ishin përzgjedhur 26 pjesëmarrësit më të mirë nga e gjithë bota.

Ky konkurs prestigjioz “IAA mobilitython”, u zhvillua në Mynih të Gjermanisë për studentët e apasionuar ndaj teknologjisë. Në përfundim të konkursit, shqiptarja Xhulia Kurti mori edhe një surprizë të bukur.

Miliarderi Bill Gates, bashkëthemelues i Microsoft-it i ka dhuruar librin e tij, ende të pa dalë në treg, së bashku me një mesazh përgëzimi për suksesin e merituar.

Së fundi, Xhulia ka marrë edhe mbështetje nga “Ministria e Sipërmarrjes” për të patentuar punën e saj.

“Të përdorësh internetin pa Wifi nuk është vjedhje, është një mënyrë se si të logohesh. Unë si synim kam tregun global, jo Shqipërinë. Babi është një nga partnerët më mbështetës që unë kam gjatë gjithë jetës sime,” tha Xhulia në intervistën e saj për Grupin Mediatik të Kinës.

CMG: Xhulia kur ka nisur pasioni dhe kurioziteti për teknologjinë në jetën tuaj?

Xhulia Kurti: Unë kam lindur dhe jetoj në Durrës, të cilin nuk e ndërroj me asnjë qytet tjetër. Kur isha rreth 8 vjeç, babai im administronte një internet kafe dhe unë shkoja shpesh aty, sepse më tërhiqnin kompjuterat dhe bota e pafundme që ata më ofronin. Pastaj, pasioni erdhi duke u shtuar dhe nuk i‘u ndava më kompjuterave. Gjithashtu edhe studimet i vazhdoj në degën e Shkencave Kompjuterike në Universitetin “Aleksander Moisiu”.

Ky mund të them se ka qënë moment i parë ku kam kuptuar se çfarë bote ekziston vetëm nëpërmjet teknologjisë. Më pas nuk u shkëputa më prej këtij aktiviteti, duke e cilësuar si të ardhmen time.

CMG: Kush ju ka ndjekur në rrugëtimin tuaj, duke ju mbështetur për ëndrrat tuaja?

Xhulia Kurti: Personi që më ka përkrahur dhe mbështetur në gjithë rrugëtimin tim është babai im, të cilit i detyrohem shumë. Ai ka qëndruar në çdo moment që mua më është dashur të marr një hap të ri, apo të gëzoj për një sukses. E cilësoj si menaxherin tim personal sepse në fakt kështu është. Më ndjek dhe nuk më lë kurrë vetëm.

CMG: Cilat janë parashikimet që bën në lidhje me këtë ide gjeniale?

Xhulia Kurti: Kërkoj që të patentoj shpikjen time në Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO). Gjithashtu një nga prioritet e mia është edhe hapja e një trademarku.Të dyja këto kërkojnë kohë dhe më shumë vizibilitet për të cilat unë jam duke punuar nga pak çdo ditë. Uroj që në një kohë të shkurtër të kem arritur qëllimet e mia.

CMG: Xhulia Kurti fiton çmimin e dytë në botë për projektin ‘Internet pa WIFI’. Si lindi kjo ide?

Xhulia Kurti: Ishte një projekt që isha duke e përpunuar dhe evoluar prej dy vitesh. Në themelin e saj kisha komunikimin e kompjuterave dhe disa lloj pajisjesh të ndryshme. Për njerëzit e thjeshtë mund të jetë një projekt, i cili ju duket larg, por në fakt ai do të vijë shumë afër. Ajo që dua të theksoj është që nuk synoj tregun shqiptar. Në fund jam shumë krenare që u finalizua me një çmim.

CMG: Ju sapo keni marrë edhe mbështetje nga Ministria e Sipërmarrjes për të patentuar punën tuaj?

Xhulia Kurti: Fatkeqësisht ndihma financiare e dhënë nga shteti nuk mjafton as për patentimin dhe për trademarkun. Ndaj, do kërkoj përsëri mbështetje. Synimet e mia janë për të hyrë në tregun ndërkombetar, pasi është një shpikje që i shërben njerëzimit.

CMG: A quhet vjedhje kjo gjë?

Xhulia Kurti: Jo, sepse transmetimi i të dhënave bëhet me anë të një mënyre tjetër nga rastet e mëparshme nga kompani të tjera.

CMG: Për sa kohë mendon që mund të jetë gati ky projekt?

Xhulia Kurti: Nëse do kem mbeshtetjen e duhur, koha e nevojshme është 9 deri 18 muaj.

CMG: Si do të ndryshojë bota pas kësaj?

Xhulia Kurti: Mendoj që gjërat do ndryshojnë për mirë sepse edhe komunikimi do të jetë më i lehtë.

Unë e kam theksuar edhe herë të tjera që është një projekt, i cili thjesht dhe vetëm i vjen në ndihmë njerëzimit.

CMG: A mund të ndani disa detaje operacionale?

Xhulia Kurti: Disa nga detaje operacionale janë :

-Kosto më të ulta komunikimi

-Transmetimi i të dhënave më të sigurta

-Mbrojtje e të dhënave nga një server i posaçëm

CMG: A e lëkund ky projekt tregun e internetit?

Xhulia Kurti: Ndoshta e lëkund, por kjo do ishte pyetje e së ardhmes. Këtë më mirë le t’ia lëmë kohës. Është ende herët për të dhënë të tilla detaje.

CMG: Ju morët një dhuratë të veçantë nga Bill Gates për këtë gjë. Si ishte komunikimi juaj?

Xhulia Kurti: Ai më uroj për shpikjen dhe çmimin e marrë.

Në shenjë vlerësimi më dhuroi librin e ri të pa botuar, duke më thënë që shpresonte të më shihte në majat e shkencës botërore. Por, nuk është i vetmi, sepse janë edhe disa personalitete të tjera dhe i fundit është milioneri e pronave të patundshme, Grant Cardone, që më uroi dhe më përgëzoi.

Intervistoi:Megi Latifi