Porti i Durrësit ka kaluar tërësisht në pronësi të kompanisë “Durrës Yacht&Marina”, njoftojnë disa media shqiptare.

Në datën 21 korrik, qeveria shqiptare ka vendosur që të transferojë në emër të kompanisë që do të ndërtojë portin turistik në këtë qytet të gjithë strukturën dhe infrastrukturën e Portit.

Vendimi i jep investitorit 5.4 hektarë ndërtesa të portit, duke i hapur rrugë nisjes së konstruksionit të marinës turistike.

Në dhjetor 2021 qeveria kaloi të 80 hektarë truall në pronësi të kompanisë “Symphony Real Estate Development”, firmë e regjistruar në ishujt Kajman, me kapital të deklaruar në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Plani i qeverisë shqiptare është që porti i mallrave të qytetit të transferohet në zonën e Porto Romanos, ndërtim i cili pritet të nisë pas përfundimit të projektit për strukturën e portit të ri.

Projekti për marinën turistike të Durrësit do të kapë një vlerë investimi 2 miliardë dollarë dhe do të përfshijë ndërtimin e marinës turistike, ambienteve të banimit dhe do të mbajë terminalin e udhëtimeve të pasagjerëve.

Në dhjetor 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike i dha kompanisë statusin e investitorit strategjik, vendim i cili lejon dhurimin e tokës shtet në mbështetje të projektit. (Fatosi)