Artan Kutra ka punuar si gazetar në Radio Tirana deri në vitin 1999 pas të cilit shkoi për kualifikim në Francë. Ai ka mbi dy dekada që punon si gazetar në Radio Francë International (RFI), në seksionin e gjuhës shqipe. Edhe pse ka 22 vite që jeton në Francë, Artani nuk i ka shkëputur lidhjet me Shqipërinë, duke qenë gjithmonë prezent në median shqiptare, në informim të ngjarjeve të rëndësishme që ndodhin në Francë.

Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG), ai tregon për eksperiencën e tij gazetareske në Radio Tirana dhe RFI si dhe pasionin për këtë fushë.

CMG: Ju jeni larguar në Francë përpara dy dekadave, por si ka qenë integrimi juaj në këtë vend dhe si erdhi momenti të punoni si gazetar në Radio Francë International?

Artan Kutra: Unë kam plot 22 vjet në Francë. Erdha në vitin 2000 për të bërë fillimisht një stazh kualifikimi për gazetari, ndërmjet 300 gazetarëve në botë. Në Francë zhvillohej një konkurs dhe duhet të fitonin vetëm 30 gazetarë. Këta duhet të bënin një lloj kualifikimi për politikat e Bashkimit Europian, e ndër këta 300 gazetarë që morën pjesë, 30 fituan dhe një ndër ta isha dhe unë, që pata shancin e madh që të fitoja. Ishte një fondacion që quhej “Gazetarët në Europë”, dhe sikundër dhe ju mund ta dini që në Shqipëri duke punuar për Radio Tiranën, unë kam pasur fatin që të punoj dhe të mbuloj nga afër temat që kishin të bënin me aspiratën e Shqipërisë për t’u integruar në Bashkimin Europian, punën që bëhej, këndvështrimin jo vetëm nga strukturat e Bashkimit Europian, por edhe nga strukturat e diplomacisë shqiptare për t’u integruar në Europë. Të gjitha këto ishin elementat të cilat përbënin një bazë për mua edhe për kualifikimin që do të bëja. Pra, sikundër e thashë kam filluar këtë kualifikim në tetor të vitit 1999, ku kishim për të bërë shumë kronika në shumë vende të Bashkimit Europian.

Kam shkuar për të bërë reportazhe, shkrime dhe kronika në Itali, Spanjë, Portugali, sidomos në Bruksel dhe Luksemburg, aty ku janë strukturat e Bashkimit Europian, gjithnjë edhe me këndvështrimin Ballkani drejt Europës, Shqipëria drejt Europës, por edhe si funksiononin këto politika të BE-së brenda për brenda Europës.

Kështu që nga ai moment fillova të punoj edhe për Radio Francë International, pra paralelisht me kualifikimin që bëra në Francë, fillova të bashkëpunoj dhe me RFI në gjuhën shqipe. Është një radio e madhe që mbulon gjithë globin me gjuhë të ndryshme, ku kanë qenë mbi 36 gjuhë që transmetonin, e ndër to edhe gjuha shqipe.

CMG: Kthehemi pas në periudhën kur ju punonit në Radio Tirana. Si i kujtoni ato vite dhe a keni nostalgji për atë periudhë?

Artan Kutra: Nuk ka sesi të jetë ndryshe, sepse unë jam endur në ato ambiente të Radio Tiranës, ku malli dhe ndjenjat janë gjithmonë të paharrueshme. Kemi kaluar vite shumë të bukura, jo vetëm në aspektin që ishin vitet e rinisë, por kishte shumë ngjarje, aktivitete dhe informacion për t’u transmetuar. Ne ishim në moshën më të bukur, ishim të rinj, dhe mos të harrojmë se të gjithë atë që janë të apasionuar pas një profesioni, qoftë ky gazetaria apo elektriçist, ai që është gjithmonë i apasionuar pas profesionit ndjen gjithmonë mall kudo ku ai ka punuar, dhe aq më tepër në studiot e Radio Tiranës.

Unë e konsideroj si një shkollë më vete jo vetëm universiteti, por dhe praktika që ne bëmë në Radio Tirana ishte një punë dhe kualifikim më vete. Mund të them që ishte baza e gjithçkaje. Pastaj të mos harrojmë se kanë qenë vërtetë vite me shumë aktivitet, ku ne ishim të interesuar me orë të zgjatura për të përcjellë informacionin sepse është pasioni dhe dëshira në mes për të transmetuar diçka, është nevoja për të thënë gjithçka rreth një aktiviteti.

CMG: Mendoni se jeni vërtetë me fat që punoni në profesionin e gazetarit në një vend europian siç është Franca, dhe në një media prestigjoze si Radio France International?

Artan Kutra: Ndoshta mund ta quaj dhe fat, por edhe dëshira për të punuar gjithmonë në ambientet e radios. E thashë dhe në fillim të kësaj interviste që fitova një konkurs midis 300 gazetarëve, por dhe kur hyra në radio kalova një testim, ku fillova dhe aty të drejtën për të punuar, fillimisht me honorare dhe pastaj me kalimin e kohës nënshkrova dhe kontratën.

Puna është e njëjta si në Tiranë, pasioni për ta kryer punën është i njëjti, sigurisht me kritere të tjera, sepse është në gjuhën franceze. Kriteret janë nga më të ndryshmet sepse edhe formati i transmetimeve në Francë është pak më ndryshe. Nëse dikur emisioni i lajmeve ishte gjysëm ore tre herë në ditë, në Francë është në çdo orë nga 10 minuta, pra janë formate nga më të ndryshmet, por puna dhe baza është e njëjta, përcjellja e informacionit sa më pastër dhe e kuptueshme për të gjithë publikun. Kjo është ajo që është e përbashkët si në Shqipëri, Francë, Angli e kudo. Pastaj e veçanta është që duhet ta transmetosh në gjuhën që punon e pastaj në formatin që kërkohet.

CMG: Si i mbani lidhjet me Shqipërinë dhe a i ruani kontakte me miqtë e vjetër?

Artan Kutra: Unë para së gjithash jam shqiptar dhe sigurisht me Shqipërinë nuk mund t’i këpus lehtë lidhjet dhe nuk do dëshiroja kurrë që t’i këpusja këto lidhje. Unë vij çdo vit në Shqipëri, jo vetëm në aspektin e pushimeve, por vij edhe për të bërë reportazhe. Shpeshherë bëj kronika sidomos për vendet e Ballkanit meqenëse e njoh mirë situatën në këtë zona, pra vij edhe për pushime, por dhe për misione dhe reportazhe në sensin praktik të fjalës.

Gjithashtu edhe lidhjet me telefon me miqtë e mi gazetarë, kontaktet sidomos në fushën e diplomacisë, politikës, të ngjarjeve të mëdha kulturore e sportive, jam gjithmonë i lidhur dhe nuk e shoh veten të pa lidhur me miqtë e mi dhe kolegët sepse për mua është si një lloj ushqimi. Kemi ushqimin e përditshëm, por kemi dhe ushqimin intelektual dhe kulturor. Unë kam shumë miq gazetarë nga media të ndryshme në Shqipëri, që janë tepër të interesuar dhe për ngjarjet që ndodhin në Francë dhe që gjithmonë kanë një lloj impakti edhe në Shqipëri.

CMG: Kur jeni në Francë për çfarë ju merr malli më shumë për Shqipërinë?

Artan Kutra: Sigurisht për të afërmit në radhë të parë, për familjen time, por dhe për miqtë dhe ngjarjet që zhvillohen në Shqipëri. Unë nuk e ndjej dot veten të shkëputur nga çdo lloj zhvillimi në Shqipëri. Ndjehem gjithmonë i pranishëm dhe ndoshta duhet të ndjek dy jetë paralele, aktualitetin në Francë për të cilin punoj, por dhe aktualitetin në Shqipëri me të cilin jam gjithmonë i lidhur sepse janë baza për kryerjen e punës sime dhe të dyja plotësojnë njëra tjetrën më mirë.

CMG: Puna juaj në Radio France International konsiston më tepër në studio apo dhe terreni është pjesë e aktivitetit tënd gazetaresk?

Artan Kutra: Unë mendoj se terreni është baza për të marrë informacionin, por pastaj teknologjia është zhvilluar së tepërmi ku me telefon kryen shumicën e intervistave. Nëpërmjet rrjeteteve sociale mund të merret informacioni i pare, i cili duhet zhvilluar më tej që të jetë i besueshëm. Kjo është baza dhe më kryesorja.

CMG: A keni udhëtuar në vende të tjera dhe kanë qenë këto udhëtime pune apo për turizëm?

Artan Kutra: Sigurisht që kureshtja është diçka shumë e rëndësishme, ajo zgjon interesa nga aspekte të ndryshme, qoftë në pikëpamjen e udhëtimit për turizëm por edhe për misione të ndryshme, që organizojnë në kontekstin e punës. Ne gazetarët kemi shansin e madh që ndoshta mbi presionin e madh të ndjekjes së një lajmi, përfitojmë dhe nga pak minuta për të shuar kureshtjen tonë për vende të ndryshme, të cilat ndoshta nuk do kishim mundësinë t’i shihnim gjatë kohës së pushimeve.

CMG: Si e organizoni kohën tuaj të punës në radio?

Artan Kutra: Nëse do të flasim mbi bazën e termave zyrtare, normalisht në Francë punohet 35 orë në javë, por mos të harrojmë se ne jemi gazetarë dhe kemi një pasion që herë pas e here e lemë përtej krahëve 8 orëshin dhe punojmë më tepër, sepse nuk mund ta lemë një ngjarje pa e pasqyruar.

Të gjithë gazetarët, jo vetëm në Shqipëri e Francë, por kudo në botë sakrifikojnë pak nga jeta e tyre personale për të ndjekur rrjedhën e ngjarjes. Por sigurisht që ka dhe një mirëkuptim dhe harmoni me strukturat tona drejtuese, ku gjithmonë ne i rikuperojmë ato orë të tepërta që bëjmë në dy aspekte, ose në aspektin financiar ose të japin ditë pushimi, nëse dikush kryen orë shtesë përtej orarit të punës.

CMG: Nëse do t’i marrim të dyja bashkë, eksperiencën në Radio Tirana dhe atë në Radio France International, si do t’i përshkruanit të dyja këto eksperienca që ju keni provuar tashmë?

Artan Kutra: Diçka që është e dallueshmë është sepse eksperienca në Radio Tirana është pak më individuale, ndërsa puna që bëhet në RFI është më e përbashkët, ku një gazetar zakonisht konsultohet shpesh me kolegët e tij për ndërtimin e shkrimit ose kronikës. Mbi të gjitha ai konsultohet me eprorët, merr një informacion shumë më të zgjeruar për ngjarjen, duke kërkuar një lloj historiku. Prandaj mund të them që puna në Radio Francë ndryshon nga puna në Radio Tirana, sepse këtu punohet më tepër në grup.

CMG: Unë ju falenderoj për këtë intervistë dhe ju uroj suksese në vazhdim të karrierës suaj.

Artan Kutra: Jam unë që ju falenderoj ju për ftesën në mikrofonin tuaj. Ishte vërtetë një kënaqësi të ndaja me ju këto momente emocionuese.

Intervistoi: Gazmend Agaj